Veliaj nga Vora: “PS e do votën për punë dhe shërbim, ata e duan për shtetrrethim dhe brava e dryna për sherret me njëti-tjetrin”

02/03/2022 10:42

Nga Vora, drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Erion Veliaj tha se PS ka treguar se me votë i shërben të gjithëve pa ndasi. Veliaj tha se Vora duhet të votojë numrin 2, Blerim Sherën, kandidatin socialist për kryetar Bashkie, për më shumë punë dhe shërbim.

“E duam votën për punë, e duam votën që të shërbejmë, që të mbarojmë shkollat, të mbarojmë ujësjellësin, të mbarojmë rrugët, e duam votën që ta bëjmë Vorën një zonjë të vërtetë, siç e ka hije. Ka ende njerëz që thonë se PD është partia ime. Por cila parti? Shuli apo brava? Ata që thonë hajde sulmojmë të ngjashmin tonë? Kur sulmon të ngjashmin tënd, me të cilin ke bashkëjetuar në një parti për 30 vjet, imagjino si do sillesh nesër me qytetaret”, vijoi Veliaj.

Ata, tha Veliaj, janë për sherr dhe ndasi, e jo për bashkim, siç është Partia Socialiste.

“Ata nuk janë armiqtë tanë, janë kundërshtarët tanë. Po i dëgjoja ne radio kur po vija ketu: njëherë futej Luli, njëherë Saliu. Kur fliste Luli, shante ata të foltores. Kur fliste Saliu, shante kandidatin e Lulit. Sa dramë duhet të jetë kjo parti? Ata thonë e duam votën për sherr. Njëri thoshte ma jepni votën, që në datë 7 mars ta tentojmë edhe njëherë rrethimin e dytë të SHQUP-it. Tjetri thoshte ma jep mua votën, që në datë 7 mars, kur të na vijnë ata të tjerët, të mbrohemi me më shumë dryna, brava dhe blinda. Asnjëri nuk flet për njerëzit. Secili thotë ma jep votën që të bëj sherr. Ndërkohë, e vetmja forcë, i vetmi forum, e vetmja parti, e vetmja familje, është e jona, që thotë ma jep votën që të vazhdoj punën”, theksoi ai.

Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri u bëri thirrje qytetarëve të Vorës që më 6 mars të zgjedhin kandidatin socialist për Bashkinë Blerim Shera. Gjiknuri u shpreh se Shera është njeriu i duhur për të drejtuar Vorën dhe për të çuar përpara punët.

“Si Sekretar i Përgjithshëm do të doja që Blerimi të mos fitonte thjesht nga përçarja e atyre të dyve, por do të doja që të fitonte më shumë se dy përçarësit bashkë. Pse? Sepse Blerimi do t’u japë edhe një mesazh atyre. Të mos jetë si aksident aty, por të fitojë nga vorakët, për ta qeverisur siç duhet këtë bashki. Kam edhe një thirrje per ata që janë demokratë, se mbase janë mërzitur me përçarjen brava-antibrava. Nëse doni bashkimin e PD, votoni për Blerimin, që t’u tregoni se s’keni nevojë për përçarës, s’keni nevojë për eksperiment politik, ju e keni gjetur suksesin, është Blerimi”, tha Gjiknuri.

Top Channel