Rusia ka thënë mbrëmjen e të mërkurës se 498 trupa ushtarake të saj janë vrarë në Ukrainë, në njoftimin e parë të këtij lloji që prej nisjes së operacionit te pushtimit javës që shkoi.
“498 ushtarakë rusë kanë rënë në detyrë,” tha në një mesazh televiziv zëdhënësi i ministrisë ruse të mbrojtjes Konashenkov duke shtuar se “1,597 shokë janë plagosur.”
Ukraina thotë se numri i viktimave mes ushtrisë ruse është shumë më i lartë.
Moska më parë kishte pranuar humbje njerëzore por nuk kishte dhënë shifra.
Konashenkov tha se dëshironte “të theksore përsëri se në operacionin special nuk marrin pjesë kadetë apo rekrutë të rinj “.
Organizata të pavarura që ndihmojnë prindërit të gjejnë bijtë e tyre, thanë për agjencinë franceze AFP se në konflikt marrin pjesë edhe rekrutë që kryejnë shërbimin e zakonshëm ushtarak,
Por Konashenkov tha se humbjet më të mëdha të Rusisë ishin ato qe vinin nga “dezinformimi i centralizuar” i agjencive perëndimore të lajmeve.
Të enjtën që shkoi presidenti rus Putin urdhëroi nisjen e operacionit ushtarak pas disa javë akumulimi të forcave masive pranë kufijve të Ukrainës.
Ai tha se ushtria ruse do të “de-nazifikojë e demilitarizojë” Ukrainën që sipas tij ka bombarduar e diskriminur popullsinë rusofone në rajonet lindore.
Top Channel