Një shtëpi bari është zbuluar këtë të mërkurë në qytetin e Vlorës.

Shtëpia e barit është gjetur në lagjen “Kushtrimi” të qytetit te Vlorës. Një zonë periferike ku sipas burimeve dyshohet konsumim i paligjshëm i energjisë elektrike. Policia ndodhet në vendngjarje, ndërkohë që janë shoqëruar disa persona në komisariat.

Anest Rrapaj është i riu i arrestuar, i cili u gjet në banesë në momentin e operacionit policor.  Ai kishte përshtatur banesën me llamba, aspiratorë dhe bimët e kanabisit të mbjella në kova plastike.

Policia e Antidrogës së Vlorës, pasi ka bërë veprimet për drogën e mbjellë në një banesë në lagjen Kushtrimi ka bërë dhe asgjësimin me djegie të hashashit, 330 bime u dogjën ndërkohë që sipas policisë dhe një muaj hashashi do ishte gati për në tregun e jashtëm, pasi ajo lloj bime pjekjen maksimale të saj e ka brenda tre muajsh .Po ashtu policia me punonjës se OSHE së ka verifikuar faturat dhe harxhimet që ka kryer kjo banesë nga llambat që shërbenin për zëvendësimin e ndriçimit të diellit me ato te llambave elektrike. Ndërkohë që policia e Vlorës ka shoqëruar tre punonjës së OSHE së dhe një faturist , dhe do të merren në pyetje nëse kanë pasur apo jo dijeni. Shtëpia rezultonte e mbyllur dhe tarifohej me 340 lekë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kushtrimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Vlorë.

Gjatë operacionit është zbuluar një banesë e përshtatur për kultivimin e kanabisit, me anë të llambave. Gjatë kontrollit në banesë u konstatua lidhje e paligjshme elektrike. Sekuestrohen 330 bimë narkotike të kultivuara në kova plastike, 88 llamba, 18 freskuese, 5 aspiratorë dhe sende të tjera të paligjshme. Vihet në pranga poseduesi i tyre.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Vlorë dhe Komisariatin e Policisë Vlorë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, se në lagjen “Kushtrimi”, një shtetas kishte përshtatur banesën si ambient për kultivimin e bimëve narkotike cannabis sativa në kushte laboratorike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kushtrimi”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. Rr., 40 vjec, banues në lagjen “Kushtrimi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.

Në banesën në përdorim nga shtetasi A. Rr., në lagjen “Kushtrimi”, u gjetën të kultivuara në kova plastike, në një ambient të mbyllur, rreth 330 bimë narkotike, mbi të cilat ishin të vendosura 88 llamba, 18 freskuese, 5 aspiratorë dhe objekte të tjera që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një sasi materiali bimor cannabis sativa në proces tharjeje.

Ndërkohë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,”Kultivimi i bimëve narkotike” dhe ”Vjedhja e energjisë elektrike”.

Top Channel