“Do ti japin zgjidhje problemit të përmbytjeve në zonën e Katundit të Ri”, kështu ka deklaruar kryebashkiakja Emiriana Sako dhe njëkohësisht kandidate për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në takimin me banorët e kësaj zone.
Sako u shpreh se bashkë me bordin e kullimit dhe ndërmarrjet në varësi të bashkisë po pastrohen kanalet është rregulluar argjinatura e lumit Erzen deri në zbatimin e një projekti përfundimtar. “Ne e dimë problemin kryesor të zonës tuaj, por përmbytjet do të parandalohen vetëm pas një projekti përfundimtar që do të hartohet. Aktualisht bashkë me bordin e kullimit po pastrojmë kanalet e dyta dhe të treta, ndërsa kemi përforcuar edhe argjinaturën e lumit Erzen”.
Në këtë takim kryebashkiakja Sako shoqërohej nga drejtuesi politik i qarkut Adrian Çela dhe deputetja e zonës e njëkohësisht ministre e shtetit për standardet e shërbimeve Milva Ekonomi e cila u shpreh se kryebashkiakja Sako ka qenë gjatë kësaj kohe pranë banorëve për zgjidhjen e problemeve të tyre. “Unë dua t’ju thëmë vetëm një gjë: ka qenë insistimi i vazhdueshëm i kryetares së bashkisë pranë qeverisë për marrjen e bonusit për dëmshpërblimin nga përmbytjet si dhe zgjidhjen e problematikave të tjera”.
420 banorë të njësisë administrative Katund i Ri kanë përfituar grant rikonstruksioni, ndërsa 40 familje kanë tashmë shtëpi të reja. 243 familje të tjera kanë përfituar bonusin nga përmbytjet e lumit Erzen. Bashkia e Durrësit akordon cdo vit 200 milion lekë për investime në këtë njësi administrative, në të cilën vlen të përmendet se pjesë më e madhe e saj ka furnizim 24 orë me ujë. Në këtë njësi janë ndërtuar dy shkolla të reja dhe një është në proces, janë rikonstruktuar disa rrugë, janë pastruar 22 kilometra kanale kulluese ndërkohë që të tjera investime do të kryhen.
Top Channel