Fiks Fare/ PD Vlorë uzurpon prej 10 vitesh godinën e Entit të Banesave, faturat e papaguara të dritave i shkojnë Entit!

02/03/2022 20:35

Partia Demokratike ka uzurpuar prej 10 vitesh në Vlorë pronën e Entit të Banesave, duke e kthyer në selinë e saj.

Por, gjatë kësaj dekade, faturat e energjisë që konsumon PD-ja në Vlorë i shkojnë Entit të Banesave. Pra, përveç se i mori ambientet, për të cilat Enti disponon edhe certifikatë pronësie, ky subjekt politik nuk paguan as energji elektrike. Kosto e cila shkon për Entin e Banesave, pavarësisht se prej 10 vitesh, punonjësit janë larguar fizikisht nga ato ambiente.

Në redaksinë e “Fiks Fare” mbërriti një informacion, i shoqëruar me dokumente, se selia e PD-së Vlorë, në lagjen “Pavarësia”, nuk paguan energjinë elektrike. Madje, godina ku është aktualisht PD-ja është në pronësi me letra (hipotekë) të Entit të Banesave, por prej 10 vitesh është uzurpuar nga PD-ja. Aktualisht, Drejtoria Rajonale e Entit të Banesave Vlorë qëndron me qira në ambiente të tjera, por përveç se paguan qiranë dhe dritat në ambientet ku qëndrojnë aktualisht, i vijnë edhe dritat e Selisë së PD Vlorë!

Pas këtij konstatimi, gazetarët shkuan në ambientet aktuale të Entit të Banesave, të cilat janë në katin e parë të një pallati. Është vetëm një zyrë e ngushtë, ku qëndrojnë të gjithë, drejtori dhe punonjësit. Ëngjëll Mema, drejtor i Entit të Banesave Vlorë, tha për “Fiks Fare” se Enti Banesave i ka marrë ambientet pas viteve ’90, ndërkohë që kanë qëndruar në atë ambient rreth 75 m2 deri në vitin 2012. Në këtë vit, ish ministri i ndjerë Sokol Olldashi mori një vendim që ambientet të liroheshin dhe aty të shkonte PD-ja Vlorë. Enti qëndroi nga vitit 2012-2015 te ambientet e Prefekturës Vlorë, ndërkohë që nga 2015 deri në ditët e sotme janë me qira. Mema thotë se janë në proces gjyqësor prej shumë vitesh me PD-në, ku kanë fituar gjyqe, por deri më tani çështja s’ka marrë zgjidhje.

Krahas problemit të pronësisë, faturat e energjisë elektrike të godinës ku qëndron PD-ja i shkojnë Entit dhe jo PD-së Vlorë. Mes PD-së dhe Entit që ka certifikatën, s’ka kontratë përdorimi dhe qiraje. “Kemi bërë disa ankesa te OSHEE, por deri më tani s’kemi gjetur zgjidhje. Gjithsej, janë 9 milionë e 400 mijë lekë të vjetra fatura të papaguara. Principal dhe interesa që nga vitit 2012 deri në dhjetor 2021“, thotë Mema.

Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan te selia e PD-së në Vlorë, por nuk gjejnë asnjë persona apo punonjës. Më pas, kontaktojnë në telefon me kryetarin e PD Vlorë, Genc Deromema, i cili na thotë se do të vijë për 15 minuta. Ai vjen disa çaste më vonë dhe nuk pranon të japë intervistë. “Duhet të informohem dhe më pas do t’ju jap shpjegime“, thotë ai, ndërsa gazetarët e pyesin se godina është e Entit të Banesave dhe faturat e energjisë i shkojnë po Entit. Ai pohon se “ju keni ardhur për të na tallur”, ndërsa shton se janë në një proces gjyqësor, por s’ka asnjë informacion se çfarë bëhet më pas. Por, kreu i PD-së në Vlorë nuk na dha asnjë informacion tjetër, nëse i kishte paguar apo jo detyrimet e energjisë elektrike.

Fiksi kontaktoi edhe me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Vlorë, ku mori një informacion se ka pasur një ankesë nga Enti i Banesave. Sipas tyre, para disa ditësh, në selinë e PD-së, kanë shkuar disa punonjës. Ata kanë mbajtur një procesverbal dhe i kanë ndërprerë energjinë elektrike, për shkak se kishte fatura të prapambetura. Madje, OSHEE tha se do të marrë kontakte me të dyja palët për zgjidhjen përfundimtare të kësaj problematike.

Ndërkohë që problemi i daljes së degës së PD-së së Vlorës nga ambientet e Entit të Banesave është prej vitesh në dyert e gjykatës, PD-ja e Vlorës ka mbi 900 mijë lekë borxhe në OSHEE për energji të papaguar, të cilat i faturohen Entit të Banesave. Deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi nga gjykata, Enti Kombëtar i Banesave jo vetëm që nuk merr pronën e tij, por duhet të paguajë edhe borxhet për energjinë elektrike të konsumuar nga selia e PD-së.

 

FOTO GALERI
1/11

Top Channel