Sfiduan luftanijen ruse, rojet e Ishullit të Gjarprit janë gjallë

01/03/2022 13:43

Volodimir Zelensky i shpalli heronj pas vdekjes, por marina ukrainase tani njofton se 13 rojet ushtarake të Ishullit të Gjarprit që sfiduan luftanijen ruse në ditën e parë të pushtimit, janë gjallë.

Shkoni në djall”, u dëgjuan të thonë ata kur pala tjetër u kërkoi të ulnin armët e të dorëzoheshin, me qëllimin të shmangeshin siç u tha “vdekje të panevojshme”.

Rusia qe shprehur se trupat e ishullit ishin dorëzuar, ndërsa presidenti pohoi se kishin vdekur dhe i bëri nderimet më të lartë për guximin e treguar. “Vëllezërit tanë janë shëndoshë e mirë”, konfirmuan në Facebook forcat detare ukrainase.

Sipas tyre, ushtarët luftuan me trimëri dhe zbrapsën sulmet e pushtuesve rusë, por nuk arritën dot ta vazhdonin betejën për shkak se mbetën pa municione. Mësohet se rusët kanë shkatërruar krejtësisht infrastrukturën e ishullit, duke përfshirë farin e tij, kullat, antenat dhe të gjitha linjat e komunikimit.

Top Channel