Oligarku rus Fridman paralajmëron se sanksionet nuk do të ndalojnë luftën e Rusisë (fotot)

01/03/2022 18:52

Një nga njerëzit më të pasur të Rusisë tha sot se vendosja e sanksioneve ndaj biznesmenëve nuk do të ndikojë në vendimin e Moskës për të pushtuar Ukrainën.

Bankieri milioner Mikhail Fridman tha në një konferencë shtypi në Londër se lufta është një tragjedi për të dyja palët.

Por ai nuk përmendi kritika të drejtpërdrejta duke thënë se komentet personale rrezikojnë jo vetëm atë por dhe kolegët e stafin.

Ai iu bashkua një tjetër biznesmeni, Oleg Deripaska, në thirrjet për paqe.

Dyshja janë disa nga oligarkët e pakët që kanë folur kundër fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, tashmë në ditën e gjashtë.

I lindur në Ukrainë para shpërbëries së Bashkimit Sovjetik, Fridman është themeluesi i bankës së parë private ruse Alfa, e cila drejton kompaninë e investimeve LetterOne, me interesa në sektorët e naftës dhe të shitjeve.

Milioneri tha se sanksionet si ngrirja e aseteve dhe ndalimet e udhëtimit, ishin të pajustifikuara dhe se ai do t’i luftojë.

Por shtoi se gjithsesi nuk do të kishin efekt për të frenuar ofensivën e Kremlin.

Ai tha: “Prindërit gjithmonë më kanë thënë: për një arsye apo një tjetër nuk mund të jesh në këtë pozitë, të shkosh në këtë universitet apo në këtë vend pune, e njëjta gjë po ndodh dhe tani në Perëndim për arsye se jemi rusë”.

BE ka vendosur sanksione prej të hënës ndaj Fridman, i cili jeton në Londër dhe partner i Pyotr Aven.

BE e përshkruante Fridman si “financier i lartë rus dhe aftësues i rrethit të ngushtë të Putin”.

Fridman tha se konflikti në Ukrainë duhet të mbyllet sa më shpejt por nuk dënoi në mënyrë të drejtpërdrejtë presidentin Vladimir Putin apo veprimet e tij.

“Ju lutem mos më nxisni të komentoj, është rreziku im personal, ashtu si dhe i kolegëve dhe stafit tim”, tha ai.

Ai shtoi se kompanitë e tij kanë mijëra njerëz staf në Rusi, Ukrainë e Britani. “Është një cështje delikate, ne kemi shumë partnerë dhe nuk kemi të drejtë t’i fusim në telashe”.

Biznesmeni tjetër rus Deripaska, themelues i një prej grupeve më të mëdha industriale, gjithashtu lutej për paqe në një postim në rrjetet sociale./BBC/

FOTO GALERI
1/3
Mikhail Fridman tha në një konferencë shtypi në Londër se lufta është një tragjedi për të dyja palët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA