Meta thirrje Kuvendit të miratojë projekt-rezolutën për mbështetjen e Ukrainës

01/03/2022 20:50

Presidenti i vendit, Ilir Meta i bëri thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë projekt-rezolutën për mbështetjen e Ukrainës.

Ai gjithashtu ka përshëndetur Rezolutën e Parlamentit Europian që dënon qartë agresionin rus kundër Ukrainës.

“Miratimi me 637 vota i kësaj rezolute që prek të gjitha aspektet politike, ekonomike, diplomatike, humanitare, ligjore, si dhe pasojat tragjike që mund të shkaktojë përshkallëzimi i situatës, dëshmon solidaritetin dhe unitetin europian përballë rrezikut që i kanoset sot jo vetëm Ukrainës por edhe Europës dhe botës së lirë e demokratike. Përshëndes vëmendjen e shtuar të Parlamentit Europian edhe ndaj rajonit tonë, çka duhet të na shtojë vigjilencën ndaj çdo tentative për destabilitet nga aktorë jomiqësorë. I bëj thirrje Kuvendit të Shqipërisë që përmes një rezolute të shprehë qartë dhe pa vonesë vullnetin e tij kundër pushtimit të Ukrainës, ngjashëm me vendet e tjera të NATO dhe BE!”, shkruan presidenti.

Kujtojmë se Top Channel ka siguruar dokumentin e projekt-rezolutës  që Partia Socialiste i ka dërguar grupeve parlamentare, ku rendit disa pika , ndër të cilat i kërkon qeverisë të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të Ukrainës.

Në projekt rezolutë thuhet se Kuvendi i Shqipërisë: Dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.

Burime për Top Channel, bëjnë me dije se pritet që Partia Demokratike të bëjë disa shtesa.

Top Channel