Kryebashkiaku i Kievit: Armiku ka mbërritur në periferi të kryeqytetit ukrainas

01/03/2022 14:42

Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko të martën përmes një video-mesazhi deklaroi se “armiku është në periferi të kryeqytetit”, duke shtuar më tej se ushtria ukrainase është e përgatitur të mbrojë Kievin.

Forcat tona të armatosura, Forcat për Mbrojtjen Territoriale, po luftojnë historikisht për vendin tonë”, tha Klitschko.

Ai tregoi se në hyrje të qytetit janë ndërtuar fortifikime të shumta dhe postblloqe.

U kërkoj të gjithëve të ruajnë qetësinë, mos dilni jashtë pa qenë nevoja dhe strehouni në rast alarmi”, tha Klitschko.

Një kolonë ushtarake rreth 60 kilometra e gjatë, e cila përbëhet nga automjete të blinduara, tanke dhe artileri e rëndë ka mbërritur në periferi të kryeqytetit të Ukrainës, referuar imazheve satelitore nga Maxar Technologies.

Po ashtu, përmes një video-mesazhi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se mbrojtja e Kievit është “prioriteti kryesor i qeverisë”.

Ai theksoi se Kievi është i veçantë dhe nëse mbrohet ai, mbrohet i gjithë shteti.

“Kjo është zemra e vendit tonë dhe duhet të vazhdojë të rrahë”, tha Zelensky.

Duke cituar komentet e Presidentit, Klitschko tha se forcat ruse kërkojnë të “marrin zemrën e vendit tonë”.

Kryebashkiaku theksoi se populli do të luftojë dhe nuk do të heqë dorë nga Kievi.

Top Channel