“Është luftë, luftë e vërtetë”/ Grupet e shpëtimit kërkojnë nën rrënoja pas shpërthimeve në Kharkiv

01/03/2022 11:23

Grupet e shpëtimit në qytetin e Kharkiv kanë deklaruar se të paktën 20 persona janë plagosur gjatë bombardimeve të zyrës së administratës shtetërore atje.

Në një video të postuar në Facebook, një punonjës i emergjencave jashtë ndërtesës së dëmtuar rëndë thotë se ajo është shkatërruar pjesërisht dhe shton se një shkallë e një ndërtese aty pranë është shembur, duke bllokuar njerëzit poshtë saj.

Ai thekson se rreth 20 civilë janë plagosur.

Grupet e shpëtimit, po vazhdojnë kërkimet nën rrënoja, për të nxjerrë nga aty personat e plagosur ose viktimat”.

Breshëria e artilerisë që Rusia nisi drejt Kharkiv-it është një përshkallëzim i tmerrshëm i taktikave që Moska ka ndërmarrë në sulmin pesë-ditor në Ukrainë.

Referuar autoriteteve vendase, bombardimet e rënda në zonat e banuara kishin vrarë dhe plagosur civilë. Pamjet e shpërndara gjerësisht në mediat sociale shfaqën breshëritë rreth blloqeve të apartamenteve.

Shpërthimet ishin të shumta dhe shtëllungat e tymit ngriheshin nga ndërtesat.

“Është luftë, luftë e vërtetë”, ka pohuar Ihor Terekhov, kryebashkiaku i Kharkiv-it.

Sulmi ka ardhur pasi trupat ukrainase zmbrapsën një inkursion rus në qytet një ditë më parë dhe pasuan shkëmbime intensive në periferi të qytetit.

Top Channel