Ushtarët ukrainas që mbronin ishullin e gjarpërinjve janë “shëndosh e mirë”

28/02/2022 15:55

Ushtarët ukrainas që ishin vendosur për të mbrojtur ishullin e gjarpërinjve në Detin e Zi, për të cilët u hamendësua fillimisht se ishin vrarë, janë “shëndosh e mirë”.

Përmes një deklarate për mediat, lajmi u konfirmua nga Marina e Ukrainës dhe sipas të cilës ushtarët që ndodhen në ishull arritën të zmbrapsin dy sulme të forcave ruse, por në fund u detyruan të dorëzoheshin “për shkak të mungesës së municioneve”.

Nga deklarata mësohet se forcat ruse kanë shkatërruar plotësisht infrastrukturën e ishujve, si fenerë, kulla dhe antena.

Në fundjavë, Shërbimi i Rojes Kufitare i Ukrainës, tha se kishte marrë informacion se të 82 ushtarët mund të jenë gjallë.

Mediat shtetërore ruse kanë zbuluar pamjet e mbërritjes së tyre në Sevastopol të Krimesë ku ata po mbahen si robër.

Ishulli i gjarpërinjve ndodhet rreth 48 kilometra larg majës jugore të kontinentit të Ukrainës në Detin e Zi. Ky ishull është 300 kilometra në perëndim të Krimesë, një territor ukrainas që Rusia e aneksoi në 2014.

Edhe pse është 46 hektarë në madhësi, një raport i vitit të kaluar nga instituti i Këshillit Antlantik, e konsideroi atë “çelës për pretendimet territoriale detare të Ukrainës” në Detin e Zi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA