Projekti “Shenjat e Kujtesës: Për një qytetet të vizitueshëm pa udhërrëfyes”, mblodhi në Durrës akademikë studiues, arkeologë, historianë dhe specialistë të kulturës.
“Shenjat e Kujtesës” përmban dëshmi mbi historinë mijëra vjeçare të qytetit të Durrësit, të ndarë në epoka të ndryshme, identifikimin e personaliteteve, duke nisur nga miti i mbretit Epidam, Monun, roli i Shën Palit, i Cesarit; peshkopi i parë i Durrësit, hartat “gjermane”, figura e Jan Kukuzelit, beteja e perandorit Jul Çezar, perandori durrsak Anastas, rruga “Egnatia”, arkitektura e Amfiteatrit, muri bizantin, si dhe pikëpyetjet mbi tezat nëse ka patur universitet në Durrës, apo ekzistenca e një shtypshkronje në kohën kur Gjon Buzuku punoi “Mesharin”, ngjarjet e mesjetës, e deri në ditët e sotme me rrëfime të rralla, etj.
“Shenjat e kujtesës” është një projekt që ka për qëllim jo aq për të bërë të panjohuren të njohur sesa te bëjë të dukshme të padukshmen, të nxjerrë në dritë mijëvjeçarët e qytetërimit të Durrësit, përmes identifikimit të ngjarjeve, vendeve e personaliteteve që lidhen me të.
I prezantuar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, projekti konsiderohet arkiva më e madhe e vlerave historike dhe kulturore në shekuj të qytetit të Durrësit. Paraqitja e studimit u kthye në një bashkëbisedim kulturor-qytetar mes të pranishmëve, përfaqësues të njohur të bashkësisë intelektuale të Durrësit, si dr. Hasan Ulqinin, prof. dr. Hajredin Isufin, prof. asoc. dr. Lida Mirajn, etj.
Projekti është hartuar nën drejtimin e akad. Shaban Sinanit (Akademia e Shkencave), me një skuadër dijetarësh të disa fushave, si prof. dr. Irakli Koçollari (Akademia e Shkencave), prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi (Akademia e Shkencave) dhe dr. Arian Leka (Akademia e Studimeve Albanologjike) të cilët prezantuan të gjitha faktet historike dhe mënyrën si do të realizohet ky projekt i rëndësishëm.
E pranishme znj. Emiriana Sako, kryetare e bashkisë së Durrësit, e cila, në fjalën e saj të hapjes, theksoi rëndësinë e certifikimit të trashëgimisë kulturore materiale e shpirtërore të qytetit prej fillimeve deri në kohët e sotme, jo vetëm për të përuruar pasuritë e saj në listat kombëtare e ndërkombëtare, por edhe për të nxitur turizmin kulturor, fetar dhe historik.
“Unë e konsideroj këtë takim tonin si një rast këshillimi me njerëzit e ekspertizës, këtu në Durrës e nga kryeqyteti. Me projektin “Shenjat e kujtesës” ne duam t’i kthejmë Durrësit atë që i takon: pamjen e një metropoli, që e fitoi dhe e ruajti në rrjedhë të shekujve, duke dëshmuar cilësinë europiane të qytetërimit tonë”, theksoi Sako, e cila shtoi se ky projekt përputhet me direktivën e BE-së për të certifikuar historinë e traditën, qe ne rastin e qytetit të Durrësit “na bën të ndjehemi krenarë e të mburremi”.
Kryetarja e bashkisë, njëherësh kandidate e PS në zgjedhjet e 6 marsit, përmendi projektin EU – Culture, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, që parashikon rimëkëmbjen e objekteve historike të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. “Rehabilitimi veprave muzeale është një vlerë e shtuar, jo vetëm për durrsakët, por për të gjithë vizitorët dhe turistët”.
Në projekt u renditën fakte dhe dëshmi se qyteti i Durrësit është vend shenjtorësh, prej Shën Cesarit e Shën Asti, deri tek Shën Gjon Vladimiri. Ky qytet është vizituar e preferuar nga misionarë, pelegrinë, legatë, kryqtarë e dijetarë të Perëndimit, prej Robert Guiskardit e Guilliam Adaes, deri tek Princ Vidi, kurorëmbajtësit të parë të Shqipërisë.
Autorët e prjektit cituan fakte se, Durrësi është qytet i statuteve, magjistratëve, këshillave dhe forumeve qytetare, qytet i kontëve dhe fisnikëve, portë perëndimore e Shqipërisë, vendi ku rendi mbahej me rregulla republikane.
Shenjat e Kujtesës na ndihmojnë të mësojmë se ku ka predikuar Pal Engjëlli, ku e kaloi natën e fundme në Shqipëri Fan Noli, por të dinë edhe ku është miljari zero i “Via Egnatias” dhe ku duhet t’i bëjmë shenjë në Durrës të projektuesit të saj Ignatius, siç sugjeroi akademiku Shaban Sinani.
“Shenjat e Kujtesës” na jep mundësi të dimë ku zbarkoi Jul Cesari e ku ishte llozha mesjetare e qytetit, ku mblidheshin protagonistët e pavarësisë së qytetit në fillim të shekullit të 20-të dhe ku nisi lëvizja ateiste më 1967; ku u strehua qyteti në ditët e evakuimit gjatë luftës antifashiste dhe ku qendruan tranzit Beatles-at.
Akademiku Sinani paraqiti arsyejet e realizimit të projektit, duke theksuar se, “Shenjat e kujtesës janë referenca të gjithëpranuara të historisë. Përmes tyre tradita shndërrohet në imazh. Ato janë dëshmi të mbijetesës së vlerave të qytetërimit në rrjedhë të shekujve. Dakordësia e së paku dy gjeneratave për një rrugë zhvillimi është kusht për progresin. Dakordësia e një populli për shenjat e kujtesës është kusht për monumentalizimin e historisë”.
Top Channel