FIFA ndëshkon Rusinë/ FSHF respekton vendimin e Ministrisë së Jashtme për anulimin e ndeshjes me rusët

28/02/2022 15:22

Çështja e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare të përfaqësueses Ruse, Ukrainase dhe klubeve të këtyre dy shteteve në luftë, mbetet një temë diskutimi mbi të cilat po hezitohet të merret një vendim i prerë.

Pas Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s javën e shkuar që vendosi zhvillimin e ndeshjeve të këtyre dy përfaqësueseve dhe klubeve të tyre si pritëse në fusha neutrale, Byroja Këshillit të FIFA-s një ditë më parë ku përfshihet Presidenti i FIFA-s dhe gjashtë Presidentët e Konfederatave, ka vendosur njëzëri të marrë masat e para të menjëhershme, në përputhje me rekomandimet e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe kjo do të jetë në fuqi deri në një njoftim tjetër:

Asnjë kompeticion ndërkombëtar nuk do të luhet në territorin e Rusisë, teksa ndeshjet në “shtëpi” do të luhen në territor neutral dhe pa spektatorë.

Federata anëtare që përfaqëson Rusinë do të marrë pjesë në çdo garë me emrin “Unioni i Futbollit të Rusisë (RFU)” dhe jo “Rusia”.

Asnjë flamur apo himn i Rusisë nuk do të përdoret në ndeshjet ku marrin pjesë ekipe nga Unioni i Futbollit të Rusisë.

FIFA ndërkohë do të vazhdojë dialogun e saj të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, UEFA-n dhe organizata të tjera sportive për të përcaktuar çdo masë ose sanksion shtesë, duke përfshirë një përjashtim të mundshëm nga të gjitha garat, që do të zbatohen në të ardhmen e afërt nëse situata nuk përmirësohet sa më shpejt.

Sa i përket Shqipërisë e cila do t’i duhet të përballet me Rusinë në muajin qershor në kuadër të ndeshjeve të Ligës së Kombeve, ministria e jashtme Olta Xhacka një ditë më parë vendosi mes të tjerave edhe anulimin e ndeshjes së 2 qershorit e parashikuar për t’u luajtur në Tiranë me Rusinë.

Burime për Top Channel pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, bëjnë me dije se për momentin do të respektohet vendimi i ministres së jashtme, ndërkohë që në aspektin sportiv FSHF mbetet në pritje të vendimeve përfundimtare që do të marrë FIFA dhe UEFA në lidhje me sanksionet e mundshme deri në përjashtim të Rusisë nga kompeticionet ndërkombëtare futbollistike.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA