Megjithëse Ministria e Punëve të Jashtme kërkoi mesin e Shkurtit largimin e të gjithë shtetasve shqiptarë nga Ukraina, njëri prej tyre vijon të jetë atje.

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu mundi ta intervistojë, dhe për arsye sigurie me kërkesë të tij, nuk do ta publikojë emrin.

Muhamed Veliu: Ku ndodheni tani?

Shqiptari Ukrainë: Unë momentalisht ndodhem në qytetin e KamecPodolski në zonën qendrore të Ukrainës. Jam rreth 250 kilometra larg Kievit dhe rreth 400 kilometra larg kufirit me Rumaninë.

Muhamed Veliu: Si është situata atje?

Shqiptari Ukrainë: Në këtë zonë është e qetë nuk ka lëvizje. Në një zonë përpara rreth 100 kilometrash nga ku jam duke folur, në çdo cep kishte njerëz të armatosur pra popullsi e armatosur. Kontrollonin dhe verifikonin çdo njeri që ishte atje.

Muhamed Veliu: Ju përse keni qëndruar në Ukrainë?

Shqiptari Ukrainë: Unë kam qëndruar në Ukrainë sepse vajza ime e madhe jeton në Kiev dhe kam shkuar ta evakuoj. Nuk kam arritur dot të hy në Kiev për arsye se nuk të lejnë forcat ukrainase. Pjesa jugore e Kievit është e rrethuar nga forcat ruse. Falë zotit falënderoj miqtë e mi atje të cilët e kanë evakuuar vajzën në një vend të sigurt dhe për momentin është në një vend ku nuk ka rrezik.

Muhamed Veliu: A keni folur me vajzën, si është duke e përjetuar ajo të gjithë këtë situatë lufte në Kiev?

Shqiptari Ukrainë:Luftën në dy ditët e para nuk e ka përjetuar mirë. Ndërsa tani është qetësuar. Kuptohet që dy ditët e para nga që jetonte në një apartament në qendër të Kievit shumë afër parlamentit dhe presidencës. Dy zona që sot për sot ruhen më së shumti nga forcat ukrainase. Goditjet më ka thënë vajza i ka dëgjuar gjatë të gjithë kohës, nuk e ka përjetuar mirë. Gjithsesi tani është e qetë pasi është në vend shumë të sigurt dhe besoj nuk do të ketë më probleme.

Muhamed Veliu: A besoni se do të mundeni me sukses ta evakuoni vajzën tuaj nga Ukraina?

Shqiptari Ukrainë: Po. Besoj se po. Besoj se situata nga sot mund të qetësohet pasi këtë e shikoj edhe tek njerëzit që flas dhe komunikoj, kjo ngaqë sot kanë nisur bisedimet midis dy shteteve Ukrainë-Rusi. Sikur po ndjehen pak më të qetë veten.

Top Channel