Gazetari Thimi Samarxhi në një lidhje live në emisionin Open në Top Channel nga Przemysl, qytetin polak në kufi me Ukrainën tregoi situatën e rënduar të refugjatëve, të cilët po largohen me çdo kusht nga lufta.
Të rinj, të moshuar apo fëmijë të vegjël kanë ecur në këmbë me ditë për të mbërritur në kufi me Poloninë. Ata kanë ikur nga vendi i tyre për t’i shpëtuar sulmit rus.
Një pjesë e refugjatëve po largohen me furgona apo autobusë në drejtim të vendeve të tjera evropiane të cilët do t’i strehojnë deri në qetësimin e situatës.
Pronarët e mjeteve e kanë ofruar falas udhëtimin për refugjatët, duke i ndihmuar sadopak që të shpëtojnë të gjallë nga lufta.
Gjithashtu në kampin e ngritur për refugjatët ofrohet ushqim, veshje dhe sende të tjera.
“Dy deri në tre ditë kanë ecur në këmbë për të mbërritur. Ka zotërinj që kanë ardhur për të shoqëruar të afërmit e tyre. të gjithë i janë përgjigjur faktit për të luftuar në vendin e tij. ka një numër të konsiderueshëm djemsh. Është e pamundur që të kalosh, për gazetarët është e pamundur që të kalosh”, tha Samarxhi.
Një prej vullnetarëve në kufirin polak në intervistë tha se një pjesë e familjes së tij është në Ukrainë dhe një pjesë jashtë saj.
“Një pjesë e familjes është në Evropë, një pjesë është në Ukrainë në pjesën perëndimore, në një pjesë më të qetë. Familja është rreth 80 km nga këtu, edhe ata kanë frikë, po ndihmojnë duke dhuruar gjak”, u shpreh vullnetari.
Top Channel