Që nga fillimi i pushtimit rus pesë ditë më parë, në kufirin mes Ukrainës dhe Bjellorusisë këtë të hënë do të mbahet takimi i parë mes dy delegacioneve. Nuk dihet ende se çfarë do të diskutojnë dy vendet, por nga takimi nuk pritet shumë, pasi qëndrimet e të dyja palëve mbeten krejtësisht të papajtueshme me njëra-tjetrën dhe përgjatë orëve të fundit tensionet janë përshkallëzuar akoma edhe më keq. Analistët mendojnë se dështimi i këtij takimi, me siguri do të përdoret nga Rusia për të përforcuar propagandën e saj, pro luftës.
Takimi do të zhvillohet pranë lumit Prypyat, ndërsa delegacioni ukrainas ka mbërritur. Siguria e këtij takimi i është besuar presidentit bjellorus Alexander Lukashenko, i cili është një aleat i ngushtë i Putinit. Në lidhje me vendin e takimit palët nuk ranë dakord në fillim, pasi presidentit Volodymyr Zelensky iu propozua qyteti Gomel, në Bjellorusi, por ai kishte refuzuar të zhvillohej një takim me Rusinë në Bjellorusi për vetë faktin se është një vend shumë afër Rusisë dhe po ashtu përgjegjës për pushtimin e vendit të tij. Më pas, ai propozoi disa alternativa të tjera duke rënë përfundimisht dakord për një takim në kufi.
Takimi i sotëm konsiderohet teorikisht një bisedë paqeje, por për disa arsye të ndryshme nuk pritet të japë rezultate të mëdha.
Para së gjithash, sepse qëndrimet e palëve janë dhe mbeten të papajtueshme. Duke komentuar takimin e sotëm, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha se qeveria e tij “nuk do të heqë dorë asnjë pëllëmbë nga territori i saj”. Presidenti rus Vladimir Putin, nga ana tjetër, e kishte nisur luftën duke mohuar në mënyrë efektive të drejtën e Ukrainës për të qenë një shtet. Për më tepër, sapo kishte filluar pushtimi, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov kishte deklaruar se do të pranonte të dialogonte me Ukrainën vetëm nëse kjo e fundit do të dorëzohej. Me pak fjalë, gjasat janë të mos ketë vend për një marrëveshje.
⚡️🇷🇺🇧🇾🇺🇦In Belarus, everything is ready to host Russia-Ukraine negotiations. Waiting for delegations to arrive pic.twitter.com/WSnPMyChwg
— Belarus MFA 🇧🇾 (@BelarusMFA) February 28, 2022
Së dyti, luftimet po vazhdojnë edhe në kohën kur palët ranë dakord të takohen. Gjithashtu presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar që forcat bërthamore ruse të jenë në gatishmëri, për shkak të sanksioneve “agresive” të vendosura nga vendet perëndimore.
Një tjetër faktor që zbeh në maksimum pritshmëritë për takimin e sotëm janë deklaratat e ndryshme të palëve. Presidenti i ukrainës Zelensky, sipas të cilit 24 orët e ardhshme do të jenë vendimtare, tha se ishte skeptik në lidhje me takimin. Ai pranoi të takonte delegacionin rus “pa parakushte”, duke sqaruar se po e bën këtë për të mos lënë asnjë gurë pa lëvizur.
“Unë nuk besoj shumë në rezultatin e këtij takimi, por le të shpresojmë se do gjendet një zgjidhje. Asnjë qytetar ukrainas nuk duhet të ketë dyshime se unë, si president i vendit, nuk shfrytëzova gjithçka, edhe mundësinë më të vogël, për të ndaluar luftën”, shkruajti Zelensky në rrjetin e tij në Telegram.
Oksana Markarova, ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara deklaroi se “ne jemi gati për t’u ulur në bisedime, por jo për t’u dorëzuar”.
Top Channel