Bashkimi Evropian, së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë perëndimorë, shpallën sanksione të reja kundër Rusisë – për shkak të pushtimit të Ukrainës – të cilat përfshijnë edhe përjashtimin e disa bankave ruse nga sistemi i pagesave ndërbankare, SWIFT.

SWIFT, ose “Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar në Botë”, është një sistem komunikimi, që lehtëson pagesat e shpejta ndërkufitare, duke bërë që tregtia ndërkombëtare të zhvillohet më lehtë.

Bankat që lidhen me sistemin SWIFT dhe krijojnë marrëdhënie me banka të tjera, mund të përdorin kodet SWIFT për të kryer pagesat.

Këto kode janë të sigurta dhe u mundësojnë bankave të përpunojnë vëllime të mëdha transaksionesh me shpejtësi.

SWIFT është bërë mekanizëm kryesor për financimin e tregtisë ndërkombëtare.

Sipas Rishikimit të tij Vjetor, në vitin 2020, çdo ditë kanë qarkulluar rreth 38 milionë kode SWIFT. Çdo vit, triliona dollarë transferohen duke përdorur këtë sistem.

Kush e posedon SWIFT-in?

SWIFT, i themeluar në vitet 1970, është një kooperativë e mijëra institucioneve anëtare që e përdorin shërbimin.

Me bazë në Belgjikë, SWIFT ka realizuar një fitim prej 36 milionë eurosh në vitin 2020, sipas Rishikimit të tij Vjetor.

Pse përjashtimi nga SWIFT është aq serioz?

Përjashtimi i bankave të Rusisë nga SWIFT kufizon qasjen e këtij vendi në tregjet financiare në botë.

Kompanitë dhe individët rusë do ta kenë më të vështirë të paguajnë për importet, të marrin pagesat për eksportet, të marrin hua ose të investojnë jashtë shtetit.

Bankat ruse mund të përdorin kanale të tjera për pagesa, si: telefonat, aplikacionet e mesazheve ose emailet.

Këto do t’iu mundësonin bankave ruse të bëjnë pagesa nëpërmjet bankave në vendet që nuk kanë vendosur sanksione, por, meqenëse alternativat ka të ngjarë të jenë më pak efikase dhe më pak të sigurta, vëllimet e transaksioneve mund të bien dhe kostot të rriten.

Si i ndikon vendet e tjera përjashtimi i Rusisë nga SWIFT?

Eksportuesit do ta konsideronin shitjen e mallrave në Rusi si më të rrezikshme dhe më të shtrenjtë.

Rusia është blerëse e madhe e mallrave të përpunuara.

Holanda dhe Gjermania janë partnerët e saj të dytë dhe të tretë më të mëdhenj tregtarë, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore. Megjithatë, Rusia nuk është në mesin e dhjetë tregjeve kryesore të eksporteve të tyre.

Blerësit e huaj të mallrave ruse do ta kenë gjithashtu më të vështirë – çfarë do t’i bëjë të kërkojnë furnizues alternativë.

Por, kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin rus, blerësit e huaj mund ta kenë më të vështirë të gjejnë furnizues zëvendësues.

Sipas Komisionit Evropian, Rusia është furnizuesja kryesore e BE-së me naftë të papërpunuar dhe gaz natyror.

Me cilat rregulla funksionon SWIFT?

SWIFT-in e ndjekin rregullat belge dhe ato të Bashkimit Evropian, që mund të përfshijnë sanksione ekonomike.

“Derisa sanksionet vendosen në mënyrë të pavarur në juridiksione të ndryshme anembanë botës, SWIFT nuk mund të zgjedhë në mënyrë arbitrare regjimin e sanksioneve të juridiksionit që të ndjekë”, thuhet në ueb-faqen e SWIFT-it.

Në mars të vitit 2012, Bashkimi Evropian e ka ndaluar SWIFT-in t’iu shërbejë firmave dhe individëve iranianë, të cilët janë sanksionuar për shkak të programit bërthamor të Teheranit. Lista ka përfshirë banka qendrore dhe banka të tjera të mëdha.rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA