Kryeministri Edi Rama ndodhet në Dibër ditën e sotme për të folur për pyetësorin e “Këshillimit Kombëtar”, por nuk ka hezituar të thumbojë Bashën e Berishën. Rama tha se duhet hapur brava të futet vareja në magazinë e të ikin të dy dhe bëri të qartë se këtë duhet ta dinë të gjithë demokratët.
Ndërsa për Këshillimin Kombëtar, kryeministri i tha që në vend që t’i shkruajnë në Facebook, bëjnë mirë të plotësojnë pyetësorin dhe të mos kërkojnë llogari për të tjerët që i kanë lënë të presin me dekada.
“Nuk e di a ka ardhur ndonjë demokrat fshehurazi por gjithsesi i keni nëpër shtëpia dhe thojini nuk shkon. Kur thojnë dibranët të japin ujë në bisht të lugës kanë të drejtë, por ujë në bisht të varesë nuk ka, as ujë në vrimë të bravës nuk ka. Edhe për të mirën e atij kampi, kush e do atë punë të rrijë derisa të ikin të dy ata. Duhet të hapet brava dhe të futet vareja në magazinë. Kjo për humor se qeshim se nuk qajmë dot për atë hall. Po e mbyll me këshillimin kombëtar, do i lutesha atyre që ta plotësojnë. Sa më shkruajnë mua në Facebook që kjo punë është kot, ta plotësojnë dhe të shohin a ia vëmë veshin. Meqë ju e keni pikë të dobët atë punën e rrugës së Arbrit, kini parasysh që vërtet pritët shumë gjatë, por tashmë është bërë realitet. Mos më kërkoni llogari dhe për ata që ju kanë shaluar në rrena para meje dhe ju kanë lënë të prisni me dekada”, tha Rama.
Ndër të tjera, kryeministri Edi Rama tha se do të shtrojnë në pyetësorin ‘Këshillimi Kombëtar’ për qytetarët edhe nëse duhet që emigrantët të deklarojnë të ardhurat e tyre, në mënyrë që të kenë mundësi të investojnë në vendin tonë.
“Çështja e kursimeve të emigrantëve. Ne e dimë shumë mirë historinë e emigracionit në Shqipëri, përpjekjet e jashtëzakonshme të tyre për të fituar duke punuar dhe për të kursyer për të ndihmuar dhe familjet. Ka pa diskutim shumë kursime të emigrantëve të bëra në vite të cilat nuk janë të formalizuara. Procedurat janë të tilla që kërkojnë justifikime nëpërmjet dokumenteve dhe që vënë përpara vështirësish të jashtëzakonshme për të justifikuar burimin e atyre të ardhurave. Këtu flasim për burim nga puna, jo për aktivitete kriminale. Përderisa në shumë vite dhe qeveri të mëparshme e kanë tentuar këtë vendim dhe nuk e kanë marrë, do të thotë që nuk është një vendim i lehtë. Për këtë arsye kemi vendosur të pyesim njerëzit, a duhet ne t’i japim mundësi emigrantëve të legalizojnë paratë e fituara nga puna dhe të kenë mundësi që këto para t’i depozitojnë në banka. Dhe pastaj përmes kësaj rruge t’i investojnë në mënyrë të pastër në Shqipëri që do të thotë në mënyrë të dokumentuar, apo nuk duhet. Ky është një vendim jo i lehtë për t’u marrë dhe ne do ta marrim bazuar në atë që do të thonë qytetarët. Ndaj i lutem të gjithëve ta plotësojnë pyetësorë”, tha Rama.
Top Channel