Beogradi zyrtar ende nuk ka dalë me një qëndrim të qartë lidhur me sulmin rus në Ukrainë, pavarësisht takimeve të Këshillit për Sigurinë Kombëtare dhe Qeverisë së Serbisë.

36 orë kohë i janë vendosur Serbisë, sic pohoi presidenti Aleksandar Vuçic, që t’i përgjigjet kërkesave për harmonizim me vendimin e Bashkimit Europian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. BE-vendosi në 22 shkurt një paketë sanksionesh ndaj Moskës pasi Putin njohu rajonet separatiste në Ukrainën lindore – Donjeck dhe Luhansk, e dy ditë më vonë, mbërriti dhe një tjetër valë më e rëndë masash.

Pritet që Vucic t`i drejtohet qytetarëve këtë pasdite, pas një takimi të ri të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Gjitha cfarë dihet deri tani nga mbledhja e mbajtur me dyer të mbyllura, është se Vuçic ka shkëmbyer informacione për situatën në rajon dhe Ukrainë. Analistët vendas megjithatë mendojnë se është shumë e vështirë për çdo politikan në Serbi që të shkojë kundër narrativit të krijuar ndaj Rusisë.

Duke marrë parasysh se Serbia është në fushatë zgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të prillit, pushtimi rus në Ukrainë shihet tani si një nga skenarët më të këqij për skenën e brendshme politike në Serbi. Nga ana tjetër, Serbia edhe është mbështetur gjithmonë tek Moska për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur, duke e konsideruar atë si “avokaten e vet më të mirë”. .

Top Channel