Paralajmërimi për protesta nga shoqatat e biznesit, reagon Rama: A thua se kanë zbritur nga Hëna dhe nuk kanë informacion

25/02/2022 19:22

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur konferencë për shtyp për situatën në Ukrainë, ndërsa ka folur edhe për rritjen e çmimit të energjisë. Në fjalën e tij, Rama përmendi deklaratën e Dhomës e Tregtisë së Tiranës dhe përfaqësues të biznesit që dolën sot me 9 kërkesa për qeverinë, pas rritjes së kostos së prodhimit, si pasojë e rritjes së energjisë elektrike.

Ata i lanë qeverisë afat 2 javë që të shohë kërkesat e tyre për rishikimi e çmimit të energjisë dhe nëse qeveria nuk reagon, do të ketë protesta.

Rama: Ka një valë të inflacionit të shoqëruar me rritjen e çmimeve si një pasojë e rikthimit të fuqishëm të ekonomisë pas mbylljes dhe shtrëngimit nga pandemia. Ne jemi i vetmi vend apo me ndonjë përjashtim se nuk është se i kemi parë të gjitha vendet pa përjashtim që nuk e kemi prekur çmimin e energjisë. Në të gjitha komunikimet që kam pasur me kolegët në vigjilje të samitit dhe në takimet në Mynih, çështja themelore kanë qenë të energjisë. Ne jemi zotuar që do të bëjmë çmos për ta mbajtur nën kontroll çmimin e energjisë dhe për goditjen psikologjike që sjell në tërësi, sidomos për familjarët dhe biznesin e vogël.

Më vjen shumë keq që një grup përfaqësues i biznesit ka dalë me kërkesa a thua se sapo kanë zbritur nga hëna dhe nuk kanë informacion për ngjarjet në Tokë. Shpresoj të ketë qenë një moment lajthitje se të dalësh sot e të kërkosh të tilla qiqra ndërkohë që një hell i nxehtë ka filluar të rrotullohet në hijet e Europës, vetëm këtu mund të bëjë vaki.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA