“Vdekje pushtuesve rus”/ Berisha: Turp që parlamenti nuk miraton rezolutë kundër këtij agresioni, jemi vend anëtar i NATO-s

24/02/2022 13:08

Ish-kryeministri Sali Berisha këtë të enjte është shprehur me tone të ashpra duke deklaruar se është “turp” që Parlamenti shqiptar nuk miraton një rezolutë kundër agresionit rus në Ukrainë.

Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Berisha e drejtoi gishtin nga kryeministri Edi Rama të cilin e konsideroi si një “vasal i Aleksandër Vuçiç”.

Jam këtu për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës si fundin e paqes në kontinentin tonë dhe fillimin e Luftës së tretë Botërore. Dënoj qëndrimin e turpshëm të këtij parlamenti, vend anëtar i NATO-s dhe nuk merr përsipër të votojë një rezolutë për të dënuar Rusinë, agresorin që është nismëtare  Luftës së Parë Botërore, iu bashkëngjit Hitlerit dhe nis tani e vetme pushtimin e një vendi të pavarur”, tha Berisha.

Ai theksoi se Shqipëria mban të njëjtin qëndrim si parlamenti i Serbisë, kjo është e turpshme dhe e paimagjinueshme.

Si mund të justifikojë këtë qëndrim ky parlament ndaj një vendi që historikisht u ka bërë shqiptarëve të këqijat më të mëdha. Kjo është dëshmi e vasalitetit të plotë ndaj Beogradit”, tha ish-kryeministri.

Sipas tij, në Ukrainë po bien bomba ndaj njerëzve të lirë e të pafajshëm, ndërsa ne nuk miratojmë një rezolutë të përbashkët ndaj këtij agresioni të pashembullt.

Kjo është histori kapitullimi dhe ka një përgjegjës, Edi Rama, vasali i Vuçiç, turp i madh. Vdekje pushtuesve rus“, tha Berisha.

Top Channel