Shqiptarët me misionin e OSBE-së në Ukrainë, Xhaçka: Gjashtë shqiptarë janë larguar, ndërsa 5-së të tjerë janë atje

24/02/2022 14:04

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka këtë të enjte ka deklaruar se Shqipëria po vazhdon të koordinohet me vendet aleate në kuadër të NATO-s dhe OSBE-së, në takimet e nivelit të lartë që po përgatiten në këto organizata dhe në dialog me Bashkimin Evropian për një reagim të bashkërenduar që do të përfshijë sanksione të rënda kundër Rusisë.

Në fjalën e saj në Kuvend, Xhaçka e konsideroi pushtimin rus të Ukrainës si një sulm ndaj sigurisë evropiane që u bë flagrant sot, ku sipas saj e bën edhe më të domosdoshëm një front të bashkuar në mbrojtje të parimeve themelore që përfshijnë edhe rajonin tonë.

Shqipëria ka luajtur dhe po luan rol udhëheqës në këtë drejtim: Në rajon ne jemi jo vetëm vend anëtar i NATO-s, por dhe vend që bashkohet 100% me qëndrimet e Bashkimit Evropian  në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Shqipëria nuk është mjaftuar vetëm me fjalë dhe linjëzim politik me BE, SHBA, MB dhe vende të tjera të njëmendta: që në krye të herës i jemi bashkuar sanksioneve ekonomike që BE vendosur ndaj Rusisë, duke marrë mbi vete edhe sanksionet që Rusia ka vendosur si reagim. Dje vendosëm t’i bashkohemi deklaratës së Bashkimit Evropian që dënoi fuqishëm vendimin e Rusisë për të njohur rajonet e Donetsk dhe Luhansk, si entitete të pavarura dhe vendimin që pasoi për të dërguar trupa ruse në këto zona – deklaratë që përcaktoi se do të ketë sanksione shtesë ndaj Rusisë. Ne do të bashkohemi dhe me këto sanksione”, tha ministrja e Jashtme.

Ajo theksoi se vendi ynë ka këmbëngulur prej kohësh që në këtë kohë rishfaqeje të sulmeve ndaj sigurisë evropiane dhe të përpjekjeve për të ndërtuar sfera influence është më rëndësi vendimtare që të mos u jepen mundësi aktorëve të tretë që të luajnë një rol destabilizues në rajonin tonë.

Në mbrojtje të stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe në Evropë,  ne kemi theksuar prej kohësh dhe vazhdimisht shqetësimin për influencën destabilizues ruse në rajonin tonë dhe nevojën për t’iu kundërvënë. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të hapur, të qartë dhe të argumentuar ndaj politikës ruse në rajon dhe më gjerë, qëndrim që përputhet me atë të ShBA dhe BE dhe që e bën këtë qëndrimi të vendit tonë të dallueshëm në rajon. Po ndjekim me vëmendje qëndrimin e vendeve të rajonit, por besojmë se edhe në këtë rast roli i Shqipërisë si një faktor i moderuar, stabilizues dhe konstruktiv do të ndihmojë në zvogëlimin e pasojave në rajon si rezultat i ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë, situatë e cila mund të riaktivizojë elemente ekstremiste apo të dhunshëm, si dhe të aktivizojë skenarë politikë destabilizues”, tha Xhaçka.

Sipas saj, si një vend anëtar i NATO-s na rritet edhe më shumë përgjegjësia për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, duke shtuar më tej se një gjë e tillë e bën Shqipërinë edhe më të dallueshme dhe të aftë për të luajtur një rol udhëheqës në rajon.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e mbylli fjalën e saj me vëmendjen që vendi ynë i ka kushtuar qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Ukrainë, ndonëse në numër shumë të vogël dhe me familje të krijuara atje prej vitesh.

Që para 10 ditësh, MEPJ ka bërë thirrje për largim nga Ukraina, duke dhënë numrat e kontaktit të vënë në dospozicion. Që prej atëherë, Ambasada jonë në Varshavë dhe Drejtoria Konsullore në MEPJ kanë qenë në kontakt me këta qytetarë shqiptarë. Deri më sot ata nuk kanë kërkuar asistencë për largim nga Ukraina. Vetëm sot, 3 qytetarë kanë kërkuar asistencë, pasi kanë prerë biletë avioni dhe fluturimet janë anulluar. U kemi sugjeruar kalimin me rrugë tokësore në kufirin me Poloninë ose Rumaninë dhe ambasadat tona në këto dy vende janë të gatshme për t’i pritur dhe asistuar”, tha Xhaçka.

Sipas saj, sa i përket shtetasve shqiptarë në Misionin e OSBE-së në Ukrainë; prej 11 të punësuarve në këtë Mision, 6 janë larguar dhe 5 të tjerë janë në Ukrainë. “Jemi në kontakt me OSBE për zbatimin e Planit te evakuimit dhe kemi kontakt të vazhdueshëm për secilin prej të sekonduarve”, tha ministrja Xhaçka.

Top Channel