Manja: Opozita dje na shpjegoi se ku e gjeti shifrën 430 milionë euro, po luftojnë korrupsionin e pas 30 viteve

24/02/2022 11:44

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja këtë të enjte është shprehur se Komisioni Parlamentar Hetimor për inceneratorët kërkoi t’i zinte vendin prokurorisë dhe gjykatës.

Në seancën e stome plenare, Manja tha se disa nga anëtarët e këtij komisioni u sollën si anëtarë të inkuizicionit.

Ka organe të tjera që me pyetje kërkojnë zbulimin e të vërtetës. Një ditë mburreshin se SPAK ka arrestuar ministra dhe ish-ministra, ditën tjetër thoshin se drejtësia është e kapur. Të nderuar kolegë gjejeni një emërues të përbashkët“, tha ai.

Sipas tij, opinioni publik u pompua me shifrën 430 mln euro, por që buxheti i shtetit ka paguar një shifër shumë më të ulët.

Dhe pritëm që të na e sqaronin këtë. Me qindra orë hetim parlamentar dëgjuam akuza portalesh. Dhe nën zë dëgjuam shifra 10 fish më të ulët. Pra, shkurt pastër dhe qartë nga buxheti i shtetit janë paguar 55.3 mln euro për Elbasanin dhe Fierin dhe asnjë lekë për Tiranën, ku tërësisht paguhet tarifë shërbime”, tha ai.

Me nota ironie, ai theksoi se sot në vitin 2022, opozita ka aftësinë të kapë korrupsionin deri në vitin 2050, ndërsa shtoi se këta mendojnë se do të vijnë në 2050 në pushtet ose mendojnë se po i bëjnë një shërbim gjeneratave të vitit 2050.

“Kryetari i opozitës sot, kur ishte kryetar bashkie e kërkonte 38 euro për ton. Në atë kohë Tirana ishte më e vogël. Kjo nuk e arrin dot abuzimin me Rrugën e Kombit”, tha Manja.

Për ministrin e Drejtësisë, komisioni tregoi se reforma në drejtësi po funksionon dhe që sipas tij ka vetëm një drejtësi.

Ka vetëm një drejtësi, nuk ka drejtësi mediatike apo mikse. Ka vetëm një drejtësi, ajo që japin gjykatat e vendit. Ta lëmë SPAK-un dhe drejtësinë që të japë drejtësi. Nuk ka më në këtë vend drejtësi hajnash politikë“, tha ai.

 

Top Channel