Gent Sejko është rizgjedhur për një mandat të dytë si Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.

Sejko u votua në Kuvend me 103 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.

Një ditë më parë, Sejko paraqiti pranë Komisionit Kuvendor të Ekonomisë prioritetet kryesore për mandatin e tij të dytë.

Ai tha se prioriteti i parë ka të bëjë me politikën monetare dhe stabilitetin e çmimeve.

Në kontekstin afatshkurtër, sfida kryesore do të jetë adresimi i presioneve inflacioniste që vijnë nga rritja e çmimeve në tregjet botërore. Në gjykimin tim, respektimi i mandatit ligjor të stabilitetit të çmimeve është një objektiv i panegociueshëm. Përmbushja me sukses e këtij mandati do të kërkojë hartimin e një politike monetare të kujdesshme dhe largpamëse.

Në të njëjtën kohë, paralelisht me objektivin primar të saj, kjo politikë duhet të faktorizojë nevojën e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike dhe të harmonizohet me procesin e konsolidimit fiskal, në interes të rritjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare të vendit. Në veçanti, bindja ime është se harmonizimi i kujdesshëm i politikave monetare dhe fiskale prodhon rezultatet më të mira ekonomike, si në terma të rritjes ashtu dhe të stabilitetit.

Në një kontekst më afatgjatë, kuadri operacional i politikës monetare duhet të plotësohet me instrumente kontingjente, si ato të adoptuara nga bankat e mëdha qendrore. Ky objektiv ka si parakusht përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare. Megjithatë, horizonti i ardhshëm shtatëvjeçar ofron një dimension kohor të mjaftueshëm për përmbushjen e tij,” tha ai.

Prioriteti i dytë ka të bëjë më mbikëqyrjen dhe rregullimin bankar, në funksion të forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit.

“Në gjykimin tim, oferta e kredisë bankare nuk duhet të jetë pengesë për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit, por procesi i kreditimit duhet të respektojë gjithnjë parametrat e nevojshëm të kujdesit, për ruajtjen e shëndetit të bankave dhe të vlerës së kursimeve të depozituara në to. Duhet adoptimi i plotë i të gjithë praktikave dhe standardeve relevante të Bazel II dhe Bazel III, konvergimi i mëtejshëm më standardet evropiane dhe marrja e certifikimeve të mëtejshme në fushën e mbikëqyrjes nga Banka Qendrore Europiane.

Këto certifikime do të ulin kostot dhe do të rrisin eficiencën e operimit të sektorit tonë bankar. Synojmë vijimin e punës për reduktimin e përdorimit të monedhës së huaj në vend, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit të aktorëve publikë dhe privatë për rreziqet që ajo sjell, si dhe duke synuar forcimin e përgjigjes së institucioneve shqiptare,” tha Sejko.

Prioriteti i tretë, i shpallur nga Guvernatori, është nxitja e formalizimit dhe rritja e edukimit dhe e përfshirjes financiare. “Shkalla relativisht e lartë e informalitetit në ekonominë shqiptare sjell pasoja serioze negative, nëpërmjet cenimit të konkurrencës, frenimit të produktivitetit, rritjes së pasigurisë në marrëdhëniet tregtare e financiare, si dhe reduktimit të të ardhurave publike.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të punojë për rritjen e formalizimit të ekonomisë. Në gjykimin tim, ky proces duhet mbështetur nëpërmjet qasjes rregullatore ndaj aktiviteteve të paformalizuara, nëpërmjet plotësimit të infrastrukturës financiare e cila redukton kostot për aktivitet formale, si dhe nëpërmjet bashkërendimit të punës me nismat e sektorit publik./ Monitor

Top Channel