Fjalimi i Putin para sulmit: Lini armët dhe shkoni në shtëpi. Ne po mbrojmë veten tonë!

24/02/2022 10:47

Para agimit, pak para se të fillonin shpërthimet në qytetet anembanë Ukrainës, televizioni shtetëror rus transmetoi papritur një fjalim të presidentit rus Vladimir Putin.

Dy “republikat popullore” të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut, në rajonin e shkëputur ukrainas të Donbasit, të cilin ai e kishte njohur zyrtarisht si të pavarur më pak se dy ditë më parë, “i ishin drejtuar Rusisë me një kërkesë për ndihmë”, tha ai. Për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje ai po fillonte një “operacion special ushtarak”. Qëllimi i tij: të “çmilitarizojë” dhe “denazifikojë” Ukrainën.

Brenda pak minutash, raketat ruse filluan të godasin objektivat në Ukrainë. “Veprimet tona janë vetëmbrojtje kundër kërcënimeve,” u tha ai bashkëkombësve të tij rusë, duke pretenduar se Moska nuk kishte plane për të pushtuar Ukrainën. “Ne nuk planifikojmë t’i imponohemi askujt,” këmbënguli ai.

Putin e përshkroi “operacionin special ushtarak” në terma të kufizuar, për të mbrojtur njerëzit që jetonin në Donbas, të cilët, sipas tij, i ishin nënshtruar “gjenocidit”, një akuzë që Ukraina e ka mohuar ashpër. Por në anën tjetër, ai kritikoi më gjerësisht: “NATO mbështet neo-nazistët ukrainas… veprimet tona janë vetëmbrojtje kundër kërcënimeve.”

Më pas, ai foli drejtpërdrejt me anëtarët e ushtrisë ukrainase. Duke iu drejtuar atyre si “shokë të dashur”, ai u tha atyre se kishin bërë “betimin për besnikëri ndaj popullit ukrainas, dhe jo ndaj juntës antipopullore që po grabit Ukrainën dhe po abuzon me të njëjtin njerëz”.

“Mos ndiqni urdhrat e tij kriminale!” kërkoi ai. “Ju bëj thirrje që të lini armët dhe të shkoni në shtëpi”.

Siç ka bërë shumë herë më parë, Putin pretendoi se Rusia nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të mbrohej. Me një ton të ashpër në zërin e tij, ai dukej se kërcënonte SHBA-në, Evropën dhe NATO-n, të cilat në vetëm pak minuta do të dëshmonin që forcat e tij të armatosura të hapnin zjarr ndaj Ukrainës, diçka që Kremlini e kishte hedhur poshtë vazhdimisht si “histerikë” perëndimore.

“Kushdo që përpiqet të ndërhyjë tek ne dhe aq më tepër të krijojë kërcënime për vendin tonë, për popullin tonë, duhet ta dijë se përgjigja e Rusisë do të jetë e menjëhershme dhe do t’ju çojë në pasoja të tilla që nuk i keni përjetuar kurrë në historinë tuaj.

“Ne jemi të gatshëm për çdo zhvillim të ngjarjeve. Janë marrë të gjitha vendimet e nevojshme në këtë drejtim.”

Putini, i cili për vite me radhë kishte kritikuar Perëndimin për injorimin e ankesave të tij për zgjerimin e NATO-s drejt kufijve të Rusisë, më në fund po ia kthente me tërbim. “Shpresoj, – përfundoi ai fjalimin e tij të shkurtër, – që të më dëgjuan.

Top Channel