Pas disa javësh tensionesh në rritje këtë të enjte ushtria ruse ka pushtuar Ukrainën përmes një sulmi në shkallë të gjerë të urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Këtë javë situata në kufirin ruso-ukrainas tashmë ishte përshkallëzuar pasi Putini njohu pavarësinë e dy republikave të vetëshpallura të Luhanskut dhe Donetskut, në një fjalim plot me shtrembërime historike që në fakt mohonte të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si shtet: për Putinin, një Ukrainë e pavarur e ndarë nga Rusia ekziston vetëm sepse u krijua nga Lenini pas revolucionit komunist.

Nuk është hera e parë që Putin e shpreh këtë ide. Edhe pse të dish se çfarë mendon realisht presidenti rus dhe cili është përkufizimi i tij politik është jashtëzakonisht e ndërlikuar, të kuptosh vlerësimin e tij historik mbi komunizmik sovjetik ndihmon për të kuptuar më mirë ngjarjet e këtyre ditëve. Qëndrimi agresiv dhe nacionalist i Putinit, në fakt, rrjedh nga refuzimi i një pjese të veçantë të historisë sovjetike, veçanërisht asaj para-staliniste.

Në më shumë se njëzet vjetët që ka qenë në pushtet, Putin është lidhur me periudhën sovjetike për disa arsye; së pari, pasi ka lindur në vitin 1952, ai është një njeri i arsimuar politikisht në atë kohë dhe ishte i famshëm si pjesë e shërbimit sekret të frikshëm sovjetik, KGB-së. Për më tepër, që kur u bë president, ai e ka përqendruar pushtetin te vetja përmes metodave të sundimit.

Putini bëri pak ose aspak për të çmontuar strukturën shtetërore ruse të formuar gjatë dekadave të sundimit sovjetik dhe për ta udhëhequr vendin drejt diçkaje që i ngjan demokracive perëndimore, një proces që në vend të kësaj ishte iniciuar nga sekretari i fundit i Partisë Komuniste i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbaçov dhe paraardhësi i Putinit, Boris Jelcin.

Megjithatë, në fjalimin me të cilin njohu republikat e vetëshpallura, Putini këmbënguli shumë për nevojën e “dekomunistizimit” dhe për Bashkimin Sovjetik, sipas tij fajtor pasi u dha shumë pushtet republikave socialiste duke hedhur kështu themelet e dobësimit të Rusisë. Putin argumentoi se Ukraina është një shtet i korruptuar, i udhëhequr nga Amerika, duke u përpjekur pa sukses të pajtohet me të kaluarën e saj sovjetike.

“Doni dekomunistizimin? Ne jemi gati t’ju tregojmë se çfarë do të thotë në të vërtetë dekomunistizimi”, tha ai. Ky është një nga justifikimet kryesore të Putinit për pushtimin e Ukrainës, e cila sipas tij u krijua nga komunizmi sovjetik, dekomunistizim do të thotë ta fshish atë nga harta.

Nëse nga pikëpamja administrative Putin donte të ruante disa aspekte të regjimit të vjetër, në ekonomi ai mundi të largohej nga modeli sovjetik, duke studiuar shtrembërimet e tij dhe duke i shmangur ato me kujdes. Për të shmangur përsëritjen e zhbalancimeve të mëdha ekonomike që ndodhën në Rusi në vitet 1986 dhe 1997, për shkak të luhatjes së çmimit të naftës, që nga fillimi i viteve 2000 qeveria ruse filloi të grumbullonte rezerva të mëdha valutore për t’i rezistuar goditjeve financiare.

Për më tepër, disa nga problemet më serioze të epokës sovjetike janë reduktuar, si varësia kronike nga importet e mallrave bujqësore, shpenzimet ushtarake që hanin të ardhura për sektorë të tjerë dhe stanjacioni ekonomik.

Rusia bashkëkohore ende karakterizohet nga prapambetja tekonologjike dhe produktive, si dhe për të ardhurat e ulëta të një pjese të madhe të popullsisë. Megjithatë, siç shkruante kohët e fundit revista Foreign Affairs, ekonomia ruse ka arritur të arrijë dy qëllime të rëndësishme, jetike për Putinin; të ruajë vazhdimësinë dhe stabilitetin e qeverisë dhe të zvogëlojë ndikimin e sanksioneve perëndimore.

Në vitin 2005, në një fjalim drejtuar kombit, Putin tha se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit”, duke qenë sipas tij edhe shkaku kryesor i përhapjes së lëvizjeve separatiste brenda Rusisë. Në vitet në vijim, shefi i Kremlinit iu rikthye periodikisht një teme të tillë.

Duke folur për televizionin shtetëror dhjetorin e kaluar, Putin tha se fundi i Bashkimit Sovjetik shënoi zhdukjen e “Rusisë historike”. Deklarata u komentua si një sinjal i planeve të ardhshme të politikës së jashtme të Putinit, por gjithashtu tregoi edhe diçka në lidhje me vlerësimin e tij për atë periudhë. Në fakt, si në vitin 2005, ashtu edhe në vitin 2021, Putin e vlerësoi ngjarjen nga një perspektivë nacionaliste. Bashkimi Sovjetik, për Putinin, ishte funksional për hegjemoninë ruse mbi republikat sovjetike dhe për prosperitetin e popullit rus, jo për përhapjen e idealeve komuniste.

Putini refuzon vizionin politik të revolucionarëve që mendonin për bashkimin e republikave socialiste sovjetike, pas përmbysjes së regjimit carist në 1917. Bashkimi Sovjetik, sipas udhëheqësit të tij të parë Vladimir Lenin, do të ishte një federatë e republikave ndërmjet tyre, sepse qëllimi i vërtetë nuk ishte hegjemonia e një vendi mbi tjetrin, por përhapja e revolucionit komunist në botë.

Ishte gjithashtu një nga besimet kryesore të Lev Trotskit, i cili megjithatë Stalini e izoloi, e dëboi, e internoi dhe vite më vonë e vrau kur u bë lider i sovjetikëve pas vdekjes së Leninit. Stalini mbështeti idenë e socializmit në një vend dhe hoqi dorë nga ideja e eksportimit të revolucionit në Evropë. Ai i dha një rëndësi të re gjuhës dhe kulturës ruse, duke i zëvendësuar ato me ato të republikave të tjera sovjetike, përfshirë edhe Ukrainën.

Nëse Putini i referohet një tradite sovjetike është ajo e kësaj periudhe, por në një farë mënyre është frymëzuar edhe nga ajo traditë e para periudhës komuniste. Siç e shpjegoi mirë historiani i Harvardit, Sergei Plokhy, Putini në fakt dëshiron ta kthejë historinë në periudhën para-revolucionare.

“Ai ka një ide shumë imperialiste për kombin rus, të cilin e sheh të përbërë nga rusët, ukrainasit dhe bjellorusët. këto dy të fundit nuk kanë të drejtë të ekzistojnë veçmas. Pothuajse jemi kthyer në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur zyrtarët perandorak u përpoqën të pengonin zhvillimin kulturor të Ukrainës”.

Nisur nga ky këndvështrim, qëndrimi i ndërhyrjes së Putinit në ish-republikat sovjetike duhet parë si një përpjekje për të rivendosur hegjemoninë e dikurshme të Rusisë cariste dhe jo një freskim të regjimit sovjetik.

Ai ka treguar se dëshiron të ketë nën kontroll të rreptë edhe Kaukazin dhe disa zona të tjera që i përkisnin perandorisë cariste, duke kontribuar në formimin e republikave të vogla pro-ruse të panjohura nga komunitet ndërkombëtar; si në Gjeorgji (Abkhazi dhe Osetinë e Jugut), në Azerbajxhan (Nagorno Karabakh) dhe në Moldavi (Transnistrinë).

Top Channel