Brenda vitit fillojnë investime të rëndësishme në lagjen 18, vazhdojnë projektet e mëdha për transformimin e qytetit

24/02/2022 12:36

Brenda vitit fillon puna për disa investime të rëndësishme në lagjen 18 në Durrës.

Kështu ka deklaruar kryebashkiakja e Durrësit dhe njëkohësisht kandidate e PS Emiriana Sako në takimin e zhvilluar me banorët e këtyre lagjeve.

Në këtë takim kryebashkiakja Sako shoqërohej nga drejtuesi politik i qarkut Durrës Adrian Cela, sekretari organizativ i PSSH Blendi Klosi dhe deputetja Klodiana Spahiu. Kryebashkiakja Sako deklaroi se projektet që do të zbatohen në këtë lagje janë rikonstruksioni i fasadave të pallateve dhe veshja e tyre me kapotë duke synuar eficencën e energjisë, rivitalizimi i kuartalleve midis pallateve, ndricimi, gjelbërimi dhe ndërtimi i këndeve të lojërave për fëmijët.

Sako duke folur para banorëve tha se: “unë vij këtu si njëra prej jush, jam një grua dhe nënë që rris fëmijët e mi në këtë qytet, të cilin të gjithë e duam akoma më të mirë e më të bukur. Në fakt në këto dy vitet e fundit më shumë jemi fokusuar tek rindërtimi. Pasojat e tërmetit ishin të mëdha, edhe lagjja juaj ka pësuar dëme. Kur flasim për rindërtimin flasim për një program të suksessshëm, pasi është bërë punë e madhe. Kemi ndërhyrë në 405 pallate që kemi rikonstruktuar ambientet e përbashkëta dhe pas një muaji nis puna edhe në 180 pallate të tjerë. Janë ndërtuar 16 shkolla të reja, kemi ndërtuar dy lagje të reja nga e para, ku ajo e Manzës ka përfunduar, ndërsa lagjja e Spitallës ka nisur me ndërtimin e bllokut të parë të pallateve”.

Midis të tjerash Sako tha se do të vazhdojmë me projektet e mëdha, sic është ai i Eko Parkut, i cili është drejt përfundimit.

Në lidhje me këtë investim kryebashkiakja Sako tha se: “bashkë me Kryeministrin kemi projekte të mëdha, siç është ai i Eko Parkut, për të cilin këto ditë po na  bëhet gjyq pse hoqëm plehrat dhe ndërtuam një park me 1200 pemë, pse zhdukëm gangrenën që ishte krijuar aty dhe bëmë fusha sporti për të rinjtë, këtë e thonë vetëm ata që nuk duan zhvillimin e Durrësit. Prandaj për të gjitha këto projekte dhe të tjerë që do të vijnë, ne na duhet mbështetja juaj, e grave dhe vajzave, e të rinjve, në mënyrë që në 7 mars të kërkojmë projekte të tjera për Durrësin”.

Sekretari organizativ i PSSH Blendi Klosi në fjalën e tij tha se projektet madhore po e transformojnë qytetin e Durrësit duke e kthyer atë në qytetin me potencialin më të madh ekonomik e turistik të vendit. “Projekti i portit turistik, porti tregtar, Eko Parku etj, janë projekte që po i japin Durrësit dimensione të tjera zhvillimi. Ne kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë me Anin, ajo është një vajzë që ka studiuar jashtë shtetit dhe zgjodhi të kthehet dhe të kontribuojë për qytetin. Prandaj për këtë arsye na duhet mbështetja juaj, që në 6 mars të rikonfirmohet në krye të bashkisë dhe të vazhdojnë propjektet e nisura”.

FOTO GALERI
1/1
Brenda vitit fillon puna për disa investime të rëndësishme në lagjen 18 në Durrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA