Top Story/ Forex me Call-Center/ Zbulohet kontrata ekskluzive, si funksionoi skema e mashtrimit

23/02/2022 23:18

Paratë nga këto skema mashtrimi fillimisht depozitohen në parajsën fiskale ku është e regjistruar kompania me seli kryesisht në Izrael, por edhe në Qipro, Angli, etj.

Kompania nënkontrakton një call center në Shqipëri ose u propozon personave të ndryshëm që kanë njohuri në tregjet financiare për të menaxhuar një të tillë. Në Republikën e Shqipërisë, përfitimi për kompaninë call center vjen duke u kamufluar nëpërmjet faturave për shërbime marketingu, informatike, konsulence financiare dhe dixhitale, trajnimme stafi etj, të lëshuara nga shteti ku kompania operon.

Top Story ka siguruar nga “Monitor” kontratën e një kompanie të regjistruar në parajsë fiskale që për të fshehur veprimtarinë e jashtëligjshme kërkon të nënkontraktojë call center në Shqipëri.

Në kontratë, përcaktohet se kompania Astra Financial Limited, e regjistruar në Republikën offshore Vanuatu-s, me numër HE 300-266 me seli në Angli, kërkon partner shqiptar që do të nënkontraktohet për shërbimin call center. Pagesa do të jetë përmes komisioneve mbi 2,500 dollarë.

Pra, këtu shohim se mashtrimi dhe vjedhja ligjërohet me kontratë. Aty përcaktohet se kompania call center do të paguhet nga fitimet që rrjedhin prej llogarive që u janë bllokuar klientëve të mashtruar. Kontrata qartëson edhe rastet kur kompania nuk mban asnjë përgjegjësi ndaj partnerit shqiptar në lidhje me pagesat e shpërblimit.

Rreth gjysma e fitimit që janë shumat e vjedhura nga shtetas të huaj që joshen të investojnë në kompani fantazëm, do të jenë për kompaninë që kryen shërbimin call center, nëse lista me personat që do të mashtrohen krijohet nga kontraktori.

“Në çdo rast në të cilin partneri ka gjeneruar të ardhura nga burimet e tij, ose listat e klientelës, të cilat nuk ishin të listuara në regjistrat e Kompanisë, atëherë Partneri do të marrë një shumë prej 45% të depozitës neto të miratuar. Për të shmangur çdo dyshim, kompania do të marrë një listë specifike në Excel, e cila do të pasqyrojë rezultatet e sjella nga përpjekjet e nënkontraktorit”

Top Story ka biseduar me disa persona që u është ofruar të jenë partner me këto kompani off-shore për të çelur call centera grabitqarë por ata nuk kanë pranuar të flasin publikisht. Kjo, lidhet edhe me informacionet se prapa këtyre kompanive qëndrojnë njerëz të fuqishëme.
“Forex duhet të monitorohet nga shtetet. Duke qenë se këta marrin disa platforma nga vendet e Europës Lindore, një pjesë e Ballkanit, këto janë të pagjurmueshme. Ata nuk deklarojnë dhe nuk janë të lidhur me asnjë institucione të ndonjë shteti dhe janë abuzivë. Manipulojnë ecurinë e produkteve” u shpreh Vjoldi Danaj.

Ndiqni videon ketu

Top Channel