Në kulmin e tensioneve me Perëndimin, Vladimir Putin deklaroi se bashkësia ndërkombëtare duhet të njohë aneksimin e Krimesë nga Rusia, duke e krahasuar atë me Kosovën.

Gjatë një konference për shtyp, pak pasi parlamenti rus miratoi kërkesën e tij për dërgimin e trupave të armatosura jashtë Rusisë, shefi i Kremlinit tha se aneksimi i gadishullit të Krimesë në vitin 2014, duhet të njihet si “pasqyrim i ligjshëm i zgjedhjes së banorëve lokalë”, duke e krahasuar atë me pavarësinë e Kosovës.

Njerëzit që jetojnë në Sevastopol, kanë vendosur vetë, e kam thënë disa herë. Përse qenka ndryshe kjo situate nga ajo e Kosovës”, tha Putin.

Javën e kaluar, presidenti rus, gjatë një konference të përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kritikoi NATO-n, duke thënë se kishte nisur një luftë në Evropë duke bombarduar Serbinë në vitin 1999.

Kancelari Scholz u kundërpërgjigj, duke thënë se ndërhyrja e NATO-s kishte ndodhur për të parandaluar gjenocidin, një referencë për përndjekjen e shqiptarëve në Kosovë nga forcat serbe. Putin tha më pas se Rusia e konsideronte trajtimin e rusëve etnikë në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore si “gjenocid”, një pohim të cilin më pas kancelari Scholz e cilësoi “të gabuar”.

Nuk është hera e parë që presidenti rus përmend Kosovën në kuadër të arsyetimit për veprimet e tij. Në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë, vëzhguesit vunë re se ai përmendi Kosovën gjashtë herë gjatë fjalimit të tij. Politikanë dhe analistë kanë theksuar në shumë raste se krahasimi i Krimesë me Kosovën është i sforcuar, dhe se pavarësia e Kosovës pasoi spastrimin etnik nga forcat serbe dhe një proces të gjatë ndërkombëtar.

Asnjë nga këto nuk kishte ndodhur para marrjes nën kontroll të Krimesë nga Rusia. Ndonëse e përmend shpesh Kosovën, Rusia, kujton VOA, një aleate e vjetër e Serbisë, refuzon të njohë pavarësinë e saj që tashmë është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

Top Channel