“Ju i bënit elozhe, ai punonte si urithi”/ Rama përplaset me Bushatin: Cfarë të bëj? Të të mos përgjigjem njësoj si Tabakut?

23/02/2022 17:00

Kryeministri Edi Rama është përplasur me Helidon Bushatin në Komisionin Hetimor për inceneratorët. Kur Bushati përmendi se Rama e ka cilësuar ish ministrin Tahiri si kampion të qeverisë dhe më pas punonte nën rrogoz.

Anëtari i komisionit e pyeti nëse donte të forconte mekanizmin e marrjes së informacionit të ministrave apo do të vijojë me moton “çfarë më duhet mua çfarë bëj vetë”, gjë që Rama mohoi ta ketë thënë.

Rama: Është hera e parë që e shoh fletoren zyrtare nga larg. Nuk është puna ime dhe nuk më intereson. Nuk jam unë ai që bën tipografin e fletores zyrtare.

Bushati: Më vjen mirë që të ndihmova për diçka. Fakti që keni nënshkruar një draft kontratë tregon urgjencën që keni pasur për ta bërë efektive. Pas 17 miratimeve brenda ditës, kjo tregon urgjencën. A mendoni ju pas gjithë këtyre problematikave që duhet të forconi mekanizmin e marrjes së informacionit për ato që ndodh me ministrat tuaj. Ish ministri i brendshëm keni thënë që ka qenë kampioni i qeverisë tuaj. Për 4 vjet kishte punuar nën rrogozin tuaj, ju i bënit elozhe dhe ai punonte nën rrogoz si urithi. A mendoni se duhet të forconi mekanizmat apo do të mbani moton “çfarë më duhet mua çfarë bëj vetë”.

Rama: Bëra të gjithë atë shkëmbim intensiv me Tabakun për këtë. Të fillojmë të bëjmë këtë gjë nuk bëjmë asgjë tjetër veç asaj në parlament dhe është një tmerr. Por në këtë rast nuk ka lidhje fare dhe me arsyen pse jemi mbledhur. Saimir Tahirin po  e përmendni sërish. Cfarë të them tani? Ta lë të mos ju përgjigjem si zonjës Tabaku. Nuk do ju them juve të njëjtën gjë si zonjës Tabaku.

Tabaku: Fokusoheni tek objekti i Komisionit Hetimor. Vazhdojmë me çështjet që na interesojnë.

Rama: Helidon, të vazhdojmë me këtë, mos më vendos fjalë që nuk i kam thënë dhe të mos përmendim njerëz që nuk janë..

Top Channel