Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama këtë të mërkurë në dëshminë e tij dhënë në Komisionin Hetimor për çështjen e inceneratorëve tha se nëse qeveria e tij do të ishte “një grup i strukturuar” siç pretendon opozita, nuk do të kishte sipas tij asnjë mundësi që Ministria e Financave të niste inspektimin për inceneratorët.
Ai theksoi se në qeverinë e tij, të gjithë punojnë në mënyrë të pavarur dhe kjo tregon procesin model që është kryer.
“Qeveria ime nuk është grup i strukturuar i një njeriu, në qeverinë time respektohet çdo njeri në punë dhe dinjitetin e tyre. E imagjinoni dot që në grup të strukturuar dhe të dilte me inspektime Ministria e Financave se çfarë do të bëhej. Nuk pyetem unë fare nëse duhet inspektuar apo jo, pasi kështu e kuptoj unë punën e qeverisë time. Inspektime janë bërë dhe është bërë brenda të gjithë pavarësisë të atij institucioni dhe ky është një shembull tipik si funksionon qeveria ime“, tha Rama.
Në fjalën e tij, kryeminstri u ndal edhe tek bashkëpunimi i tij me ish-ministrin Lefter Koka, ku deklaroi se gjatë kohës që ishte ministër kanë folur për projekte dhe jo për skuta.
Lidhur me akuzat nga SPAK, Rama tha se është detyrë e drejtësisë të merret.
“Unë kam punuar shumë mirë me ministrin e mjedisit, nuk kemi folur kurrë për skuta, por kemi folur për projektin. Nëse janë të vërteta ato që akuzohet kjo është një çështje që i takon tjetërkund” tha Rama.
Nga ana tjetër, kryetarja e këtij Komisioni Hetimor, znj.Jorida Tabaku e pyeti se këto projekte kanë ngjallur një debat për afera korruptive dhe nëse ka menduar se këto akuza janë të vërteta, a i keni verifikuar, a i keni pyetur ministrat në lidhje me këto akuza.
“Ka një shprehje që thotë mishi është i dobët, që do të thotë njeriu vihet në sprova dhe sprova e pushtetit është prova më e fortë, sepse pushteti ka shumë tundime. Që do të thotë që ajo që unë si KM bëj duke pasur parasysh këtë është që i referohem asaj që bëhet në dritën e diellit. Gjithsecili mund të mendojë se mund ta bëjë nëpër skuta duke shfrytëzuar pozicionin që ka në dritën e diellit është një çështje që e ka gërryer shumë këtë vend. Prandaj unë e dua reformën në drejtësi. Ndryshe nga sa mendojnë të tjerët unë nuk i ndaj ngërzit në të majtë dhe të djathtë. Kështu që çfarë kam bërë unë? I kam dëgjuar. Unë kam dëgjuar akuzat tuaja, 430 mln eurot dhe sigurisht janë alarmuar. Akuzat tuaja kam dëgjuar dhe 430 mln euro. Kam vënë alarmin, nuk ekzistojnë 430 mln euro. Kam thënë ca bëhet atje? Dëgjoj ju këtij dhe shkoj me vrap andej. Ministri i Mjedisit kurrë nuk më ka folur kurrë për skuta dhe nuk i kam thënë ç’bëhet nëpër skuta”, tha ai.
Ky komision hetimor ka nisur në datën 28 tetor të vitit 2021, me kërkesë të deputetëve të opozitës. Ai është ngritur për të hedhur dritë mbi dyshimet se zyrtarë të lartë kanë abuzuar me fondet publike në miliona euro me tre incineratorët e mbetjeve urbane në Elbasan, Tiranë dhe Fier.
Deri më tani në Komision kanë dëshmuar emra të qeverisë socialiste, si ministrja Belinda Balluku; ministri Arben Ahmetaj; Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.
Po ashtu para komisionit kanë dhënë dëshmi edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj; kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako; kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja si dhe kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi.
Top Channel