Një trup i karbonizuar është zbuluar këtë të mërkurë në garazhin e anijes Euro Ferry Olimpia që u dogj prej disa ditësh në ngushticën mes Korfuzit dhe Shqipërisë. Ky është viktima e dytë e gjetur, ndërsa mbeten të zhdukur edhe nëntë persona të tjerë.
Autoritetet ende nuk e kanë zbuluar identitetin e viktimës. Kujtojmë se viktima e parë u zbulua tre ditë më parë në garazhin numër dy të tragetit. Ai quhej Malesiadis Evangelos dhe u identifikua nga tatuazhet pasi u pa nga djali i tij.
Në anijen e linjës Greqi-Itali po udhëtonin 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa anija u përfshi nga flakët në ngushticën mes Shqipërisë dhe ishullit të Korfuzit. Trageti ishte nisur nga Igumenica, porti më i madh në Greqinë perëndimore, drejt portit Italian të Brindisit, që ndodhet rreth nëntë orë larg.
Kur ra zjarri, anija ishte në ujërat greke, por rrymat detare e shtynë drejt ujrave shqiptare. Trageti është pjesë e flotës së grupit “Grimaldi Lines” dhe ka një kapacitet deri në 560 pasagjerësh, sipas faqes së internetit të kompanisë.
Në operacionin e shpëtimit u përfshinë të paktën tre anije të rojës bregdetare dhe një anije e Guardia di Finanza. Ministri grek i marinës tregtare Janis Plaqiotaqis urdhëroi që anija të ankorohet në një vend të sigurt, t’i hiqet karburanti si dhe të përfundojnë operacionet për gjetjen e personave të zhdukur.
Një rast i ngjashëm ndodhi në vitin 2014, ku 10 persona humbën jetën kur një traget me 466 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit mori flakë teksa lundronte nga Greqia në Itali.
Top Channel