Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama këtë të mërkurë në dëshminë e tij pranë Komisionit Hetimor për Inceneratorët është shprehur se “Bashkimi Evropian nuk është kundër menaxhimit të mbetjeve, por e ka ngritur si shqetësim”.
“Kryeministri Edi Rama tha se BE nuk është shprehur kundër impiantit të përpunimit të mbetjeve, por ka shprehur shqetësimin për menaxhimin e tyre, ku flet për nivel të ulët riciklimi dhe mbrojtjen mjedisit, por jo kundër impianteve”, tha Rama.
Ai u pyet nga kryetarja e këtij Komisioni Hetimor, znj.Jorida Tabaku, se “a është e vërtetë që BE është shprehur kundër aferës së inceneratorëve”?
Kurse për kryeministrin shqiptar, kryetarja e këtij Komisioni duhet ta kursejë fjalën aferë, pasi sipas tij, një gjë e tillë nuk ekziston si fakt, por vetëm si një opinion i opozitës shqiptare.
“Fjalën aferë e përmendët ju, jo unë. Ju është bërë si shenjë pikësimi dhe e fusni në fund të fjalisë. Përshtypjet tuaja janë pa interes për mua zonja Tabaku, kur flas mos më ndërprisni. Publiku na shikon dhe dëgjon, le të vendos vetë. Unë thash është individuale se kush rri me kë, por nuk iu shmanga asnjë pyetje për vendim qeverie. Jo BE nuk është kundër inceneratorëve”, tha Rama.
Ndërsa Tabaku e pyet më tej nëse BE ka ngritur shqetësim për menaxhimin e mbetjeve?
Kurse kryeministri Rama, duke mos kursyer ironitë, i përgjigjet se është i vetmi rast ku u tregua e saktë, duke shtuar se “në pyetjen e parë thatë se BE është shprehur kundër, tani thatë atë që ka thënë BE”.
Sipas tij, është e vërtetë që Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim, pasi nuk është zgjedhja më e preferuar.
“Çfarë është zgjedhja më e preferuar?”, pyet Rama.
Ai thotë se BE flet për nivelin e ulët të riciklimit, ne nuk kemi ndërtuar inceneratorë, ne kemi ndërtuar impiante të përpunimit të mbetjeve dhe prodhimit të energjisë që incenerojnë mbetjet, por që nuk është kjo parësorja.
“Inceneratorët janë impiante të viteve 70-80 që e digjni komplet produktin dhe nuk prodhonin energji, sa për shpjegim teknik, është e vërtetë që nuk është zgjedhje preferuar e BE pasi ai sot riciklon masivisht dhe ndan burim, edhe në vendet me standardet më të larta mjedisore, impiantet e prodhimit të energjisë përmes mbetjeve janë aty dhe ndërtohen ende”, tha kryeministri Rama.
Një ditë më parë, ka qenë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka dëshmuar në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.
Ai u pyet nga kryetarja Tabaku nëse i njeh tre personat që janë në kërkim për këtë aferë, Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugalljan.
Kryetarja e Komisionit i ka kërkuar nga Veliaj që ti paraqesë vendimin e Këshillit Bashkiak për miratimin e projektit të Inceneratorëve.
Gjithashtu, edhe sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi u paraqit për të dëshmuar para Komisionit Hetimor të ngritur për çështjen e inceneratorëve.
Pasi u betua para të pranishmëve, Agaçi pohoi se nuk ka njohje dhe nuk i ka takuar asnjëherë biznesmenët në kërkim, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugalljan.
Ai theksoi se Këshilli i Ministrave nuk ka miratuar projekt-aktin për autorizimin e procedurave.
Edhe Damian Gjiknuri, në cilësinë e ish-ministrit të Energjisë, ka qenë dëshmitari i radhës në Komisionin Hetimor – të ngritur për të trajtuar çështjen e “inceneratorëve”, nëse ka pasur apo jo shkelje në kontrata dhe procedura.
Top Channel