Kryeministri Edi Rama po dëshmon sot në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve.

Tabaku: Zoti dëshmitar a është Damian Gjiknuri ai që ka udhëtuar me këta persona?

Rama: Zonja kryetare e komisionit, zonja Tabaku, edhe një herë unë i di mirë detyrimet e mia, por i di edhe tuajat, detyrimet e mia dhe tuajat burojnë nga i njëjti ligj. Nuk jeni e përqendruar në çështje, jemi mbledhur këtu sikur po bëjmë thashetheme. Doni që të përqendroheni tek çështja, jo tek afera, ajo është në kokën tuaj, është opinioni juaj, mund ta përsërisni si avaz. Afera është opinion. Kur të mbaroni punë me mua uluni bëni detyrën tuaj ndaj ligji, por s’mund të më thoni përqendrohuni tek afera. Unë jam këtu si dëshmitar, s’ka nevoja të më drejtoheni me tre emra se më krijoni trefishim të përgjigjeve. Unë do të jap përgjigje strikt, nëse doni të transportoni debate që keni tre muaj që i bëni, bëjini, por jeni në shkelje të ligjit, unë këtu jam.

Tabaku: Unë nuk po flas për njerëz rruge, po flas për ministrin tuaj, lideri përgjigjet edhe për implikimet, vendimmarrjet, unë e kuptoj që kjo mënyrë, kjo propagandë, këto numra kanë krijuar show.

Rama: Fjalën aferë e keni futur ju ndoshta ju është bërë si shenjë pikësimi dhe e fusni ku të doni. Përshtypjet tuaja janë pa interes për mua zonja Tabaku, nuk është një sallë e mbyllur por arenë e hapur dhe publiku gjykon.

Tabaku: Në tre progres raportet e fundit BE ka shprehur shqetësim për tre inceneratorët.

Rama: Po jeni e saktë se nuk është përzgjedhja më e preferuar. Impiantet janë aty dhe vijojnë të ndërtohen.

Tabaku: A jeni në dijeni të faktit që ministri dhe agjencitë më 16 dhjetor kanë hapur garën dhe e kanë mbyllur, kanë deklaruar 17 procedura të ndryshme, akte, kanë hapur ankesa e mbyllur ankesa në një sistem të qeverisë për vendimin e qeverisë më 17 dhjetor?

Rama: Unë nuk bëra asnjë ironi kur thashë ju ishit e saktë. Lideri është për të udhëhequr, nuk kam asnjë arsye në botë sot t’i vë presjen apo pikëpresjen të gjitha pikave që janë vënë nga dëshmitarët paraardhës. I keni marrë këto përgjigje, unë kam ardhur të dëshmoj si kryeministër.

Komisioni Hetimor është ngritur të hedhur dritë mbi dyshimet se zyrtarë të lartë kanë abuzuar me fondet publike në miliona euro me tre incineratorët e mbetjeve urbane në Elbasan, Tiranë dhe Fier.

Deri më tani në komision kanë dëshmuar emra të qeverisë socialiste, si ministrja Belinda Balluku; ministri Arben Ahmetaj; Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.

Po ashtu para komisionit kanë dhënë dëshmi edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj; kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako; kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja si dhe kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi.

Top Channel