Një barazim dhe shtatë humbje, midis kampionatit dhe Kupës për këtë vit kalendarik 2022, konfirmojnë momentin negativ të Skënderbeut.
Skuadra korçare ka humbur gjithçka dhe tani ka prekur fundin, vendi i 10-të në kampionat, duke marrë statusin e skuadrës më të dobët në “Abissnet Superiore”.
Fundi i vitit 2021 ishte premtues, me juglindorët të cilët krijuan një ecuri pozitive në objektivin e tyre për të shpëtuar sezonin, por mjaftuan tetë ndeshje për të shembur gjithçka ndërtuan në atë pjesë të edicionit.
Humbja e fundit përballë Egnatia-s, ishte një goditje e fortë, për vetë faktin se ishte disfata e shtatë në seri dhe erdhi përballë një rivali direkt, duke humbur terren në garë për mbijetesë.
Eleminimi nga Kupa, vetëm tre gola të shënuar, një lum golash të pësuar, tani më kanë fundosur “anijen” e Skënderbeut. Vështirsitë e skuadrës ishin të dukshme edhe sezonin e kaluar, por në këtë edicion, skuadra vazhdimisht ka notuar në ujëra të trazuara, duke mos gjetur në asnjë moment qetësinë dhe stabilitetin.
Ka shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë ecuri apo sezon, një skuadër e ndërtuar me element të rinj, me një ndërthurje të lehtë të të eksperiencës, por pa ndikimin e duhur, mungesa e një merkato të bollshme dhe një stol i “varfër” për teknikun Migen Memelli, janë disa prej tyre.
Në Korçë, gjërat e bukura vijnë vetëm nga kujtimet, jo shumë të largëta, ashtu siç kjo skuadër është shumë larg epokës së artë. Tetë herë kampionët e Shqipërisë, do të provojnë të ruajnë kursin e sezonit të kaluar, kur korçarët evituan rënien në javët e fundit, pavarësisht se tani situata nuk është e njëjtë.
Nëse për momentin, Skënderbeu ka një “aleat”, është matematika që e mban ende në lojë, pasi skuadrat e fundtabelës janë shumë afër, por kalendari vendos në “tryezën” korçare, Vllazninë, Kastriotin dhe Dinamon, që pikërisht pas shkodranëve, Memelli dhe Skënderbeu luajnë dy finalet e tjera të këtij sezoni./ Supersport
Top Channel