Fermerët në të gjithë vendin, prej disa javësh kanë dalë në protesta për të kundërshtuar skemat subvencionale që u janë ofruar.

Protestuesit i konsiderojnë skemat mbështetëse prerje në besë për shkak se nuk është marrë parasysh asnjë kërkesë e tyre të kërkuara në protestën e muajit tetor.

Sipas tyre, fondi i skemave mbështet njerëzit që janë afër qeverisë, një pjesë e madhe e buxhetit të përcaktuar për fermerët i kalon universitetit bujqësor dhe bashkive për ndërtimin e tregjeve.

Për këtë problematikë të fermerëve, veçanërisht blegtorëve, foli sot në “Top Talk”, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për qarkun e Tiranës, Nikolin Jaka.

Sipas tij, jemi në një situatë që është agravuar nga mosreagimi apo mosmarrja e një vendimi të duhur në favor të sipërmarrjes së blegtorisë në veçanti.

Ne po përballemi me rritje të paarsyeshme të çmimeve te fermerët. Sot çmimi i qumështit ka arritur mbi 50 cent për litër, ndërkohë që çmimi i deklaruar në Itali sot është 39 cent.

Çmimet e vendeve të tjera janë nga 33 në 37 cent. Pra, nga njëra anë ne marrim me çmimin më shtrenjtë qumështin e fermerëve, dhe nga ana tjetër, gjithë industrisë së përpunimit të qumështit u është bërë refuzim nga linjat e supermarketeve mos rritja e çmimeve në raft, se me atë çmim vjen nga importi.

Industria e përpunimit ndodhet mes dy problematikave të mëdha. Nga njëra anë është rritja e çmimeve dhe nga ana tjetër kemi mos pasjen e mundësisë reale për të rritur çmimin te konsumatori, sepse është vetë ofertë-kërkesa ajo që përcakton çmimet“.

Ai fajëson qeverinë që nuk ka reaguar ndaj kërkesave të fermerëve:

Industria e përpunimit të qumështit ka qenë një ndër aleatët më të mëdhenj të fermerëve, që ka kërkuar që në fillim të vitit 2021 që qeveria të rishohë skemën kombëtare të subvencioneve në bujqësi dhe blegtori. Kemi kërkuar vazhdimisht dhe deri tani nuk kemi marrë asnjë lloj konfirmimi.

Bujqësia është lënë në harresë, nuk është përfshirë asnjë subvencion minimal. Kemi kërkuar që të kemi skema të thjeshta, të barazuara me vendet e rajonit. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë se Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera.

Mungon një analizë e  thelluar e ekspertizës, mungon vullneti i ekspertëve të Ministrisë së Bujqësisë, por dhe qeverisë, për të analizuar si duhet skemat kombëtare dhe si mund të standardizohet dhe formalizohet sistemi i fermave në Shqipëri. Sepse çdo gjë është e lidhur me sistemin e blegtorisë, industrinë e përpunimit të qumështit por dhe konsumatorin”.

Jaka shprehet se “nga të gjitha informacionet që kemi, nuk mund të kemi produkt më të mirë se sa produkti vendor për konsumatorin shqiptar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA