“Pompat e naftës, dyfishim tarifave”/ Ministrja e financave pranon: Po shqyrtojmë kërkesën e koncesionarit

22/02/2022 15:23

Teksa çmimi i naftës në vend ka arritur në nivelet më të larta historike në rreth 200 lekë për litër, kompania koncesionare e kontrollit të pompave Noa Control i ka kërkuar qeverisë që të rishikojë tarifën për këtë shërbim.

Në një dalje për mediat, Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha se ky dikaster po shqyrton kërkesën, por nuk përjashtoi mundësinë për miratimin e rritjes së saj, e cila do të ndikonte automatikisht në shtrenjtimin e mëtejshëm të karburanteve.

“Jemi në rastin kur koncesionari ka bërë një kërkesë. MFE ka ngritur një grup pune nëse jemi në kushtet e rritjes së tarifave, grupi teknik ende nuk ka dalë me një rezultat. Nuk ka asnjë nisëm të Financave për rritje e aq më pak dyfishim të tarifës. Grupi teknik do dalë në një rezultat për këto tarifa sidomos në këtë moment çmimet e naftës janë në nivelet më të larta.

Ministrja Ibrahimaj nuk bëri me dije argumentet që ka ngritur koncesionari i pompave të karburanteve për të ndryshuar këtë tarifë në kulmin e rritjes së çmimeve, që nëse ndodh do të rëndojë më tej xhepat e qytetarëve që po përballen me një valë rritje të çmimeve për të gjitha mallrat e shërbimet.

Shqipëria ka rreth 25 mijë pompa në stacionet e karburanteve dhe aktualisht tarifa e kontrollit të pompave llogaritet në 14 mijë lekë për pompë ccdo vit, pagesë që shkon për llogari të kompanisë Noa Control që ofron shërbimin.

Top Channel