Kandidati i koalicionit “Shtëpia e lirisë”, në Lushnjë Elton Bano mohon akuzat se është dënuar për vjedhje në Angli dhe paralajmëron padi për Partinë Demokratike.
Në një prononcim për gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, Bano thotë se akuza e PD nuk është e vërtetë dhe se qëllimi i vetëm i “shoqatës së bravave” siç thotë ai, është të të shpifë dhe të hedhë baltë mbi figurat dhe qytetarët.
Bano: Jo vetëm në shtetin anglez që nuk kam qenë i dënuar , por kurrë në asnjë shtet të botës nuk kam qënë i dënuar atje ku kam qënë ku kam jetuar . Këto janë shpifje , shoqata e bravave nuk di gjë tjetër vetëm të shpifë dhe të hedhë baltë mbi figurat dhe qytetarët. Unë që në fillim të fushatës kam ndjekur rrugë tjetër. Nuk kam dashur t’i kushtoj asnjë fjali kundërshtarit tim. Do përgatis edhe një padi kundrejt shpifësve, që nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse te shpifin. Të hedhin baltë dhe të njollosin figurën time.
Ndërkohë PD në një shkresë drejtuar KQZ, thotë se ka të dhëna se ai ka fshehur një dënim për vjedhje në Britaninë e Madhe.
“Sipas informacioneve të verifikuara në rrugë konfidenciale nga Partia Demokratike, rezulton se shtetasi Elton Ilir Bano, i datëlindjes 24.07.1978 ka qenë i proceduar dhe i dënuar në Britaninë e Madhe për kryerjen e veprës penale të vjedhjes, në periudhën 1998-2000.”- thuhet në kërkesën e PD drejtuar KQZ-së.
Top Channel