Denoncimi i Fiks Fare/ “Viktima fajtor i aksidentit”, si u shpall i pafajshëm inspektori që aksidentoi një 49-vjeçar

22/02/2022 20:40

Prokuroria e Shkodrës, nëpërmjet ekspertimeve dhe këmbënguljes së drejtuesit të saj, Albert Murçaj, ka shpallur të pafajshëm një oficer policie, i cili kishte aksidentuar për vdekje një 49-vjeçar.

Fiks Fare faktoi me dokumente se vendi i ngjarjes së viktimës Agim Shkambi është ndryshuar. Nga këqyrja e fillimit rezultoi se viktima ishte jashtë rruge, ndërkohë më pas vendi i ngjarjes u bë “në rrugë”.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan bashkëshortja dhe vajza e viktimës, të cilat treguan për gazetarët aksidentin që ndodhi në datën 29 janar 2021 në fshatin Shtoj i Ri ne Shkodër. Ato tregojnë dinamikën e aksidentit, ku Agimi ishte me biçikletë, jashtë karrexhatës së rrugës.

Sipas tyre, autori i aksidentit është Gjergj Gjeloshi, inspektor policie në Shkodër. Autori është ndaluar fillimisht nga policia dhe më pas ka dalë para gjykatës, por Gjykata e Apelit e ka liruar me një garanci pasurore. Nënë e bijë tregojnë se dosja është manipuluar nga Prokuroria e Shkodrës, e cila fillimisht e ka marrë të pandehur, madje e ka futur në burg, por më pas çuditërisht ka pushuar çështjen.

Në dosjen e aksidentit, një kopje të së cilës e disponon Fiks Fare, Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar dosjen me numër 138. Fillimisht, çështjen e ka pasur prokurori Astrit Halilaj. Në dosje janë edhe tabelat fotografike, ku konstatohet se viktima ka qenë me biçikletë, anës rrugës, pranë një kazani plehrash. Ja çfarë thuhet në këtë foto: në sipërfaqen e bankinës pranë asfaltit rrugor, ku ndodheshin dhe kazanët e mbeturinave, u gjet një biçikletë me dy thasë me kanoçe metalike.

Në një tjetër fotografi thuhet se “tregohet vendi më në jug të degëzimit, ku fillon kanali, ku u gjetën copa të thyera”. Pra, sërish jashtë karrexhate! Në një foto tjetër, një ditë pas aksidentit, oficerët e policisë përshkruajnë pamjen e përgjithshme: Në fotot lart e poshtë tregohet pamje e përgjithshme e vendit ku gjendej koshi i mbeturinave, ku mendohet se ka ndodhur aksidenti!

Në një dokument tjetër, oficerja e policisë gjyqësore Sulea Kërxhalliu shkruan se “automjeti është përplasur me këmbësorin Agim Shkambaj, i cili ka qenë duke mbledhur kanaçe në një kosh mbeturinash i ndodhur në anësoren e rrugës”. Madje, vijon se “në vendin e ngjarjes, në anë të rrugës”. Pra, të gjitha dokumentet e fillimit flasin se “viktima ka qenë në anë të rrugës”. Në një dokument tjetër, oficerja shkruan se “viktima ka qenë duke mbledhur kanoçe në një kosh mbeturinash i cili është vendosur në cep të rrugës”.

Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e aktit të parë të ekspertimit autoteknik, ku fillon të ndryshojë edhe vendi i ngjarjes. Autori i aksidentit e pranon se viktima ka qenë në afërsi të kazanit të plehrave. Por, vijon se “mendon ta ketë tërhequr kazanin nga vendi për ta sjellë nga drita që krijojnë mjetet në lëvizje” dhe më pas ka dalë pa kontroll në korsinë e djathtë të karrexhatës! Akti i ekspertimit të parë e ka nxjerrë shpejtësinë e mjetit të autorit 72.54 kilometra në orë. Në fund, ekspertët, citojnë se “fajtorë janë të dy, autori dhe viktima”. Pas kërkesës së autorit, është urdhëruar kryerja e një tjetër akti ekspertimi. Kësaj herë, shpejtësia e mjetit doli 64 km në orë, ndërkohë që citojnë “aksidenti nuk mund të shmangej”, duke fajësuar viktimën dhe duke hequr përgjegjësinë e autorit!

Prokurori i parë, Astrit Halilaj, e mori të pandehur inspektorin Gjergj Gjeloshi, duke e akuzuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Ja çfarë shkruan prokurori në këtë dokument: “autori është përplasur me një këmbësor, në një kontenier të ndodhur në anën e djathtë të rrugës”.

Sipas tabelës fotografike, në asfalt, afër me kontenierin e mbeturinave, dallohet një njollë, e cila gjendet nga vija e ndërprerë ndarëse deri tek buza e asfaltit, afër vendit ku vendoset kazani i mbeturinave”. Automjeti është dëmtuar në krahun e djathtë, xhami, pasqyra. Ky prokuror shkruan se “nga mekanizmi dhe dinamika, drejtuesi i metit përveçse ka udhëtuar me shpejtësi, nuk ka arritur të reagojë për të evituar përplasjen me këmbësorin dhe pika e takimit, sipas njollave në asfalt, ka qenë jashtë vijave të ndërprera të karrexhatës, ngjitur me kazanin e mbeturinave”. Pas komunikimit të akuzës, prokurori Astrit Halilaj ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin e dosjes në gjykatë në muajin prill 2021.

Por, dy muaj më vonë, prokurori Astrit Halilaj zëvendësohet nga kjo dosje. Çështjen e merr në dorë prokurori Albert Murçaj, i cili është aktualisht drejtues i Prokurorisë së Shkodrës. Ky prokuror ndryshon totalisht konkluzion, duke e shpallur të pafajshëm inspektorin e policisë dhe duke fajësuar viktimën. Ja çfarë shkruan: provohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor nga viktima dhe drejtuesi i mjetit e ka pasur të pamundur shmangien e aksidentit, por nuk ka shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”. Vendimi i pushimit të prokurorit ka shkuar në Gjykatën e Shkodrës, e cila ka urdhëruar prokurorinë që të rihetonte aksidentin. Por, prokurori Murçaj e dërgoi në Gjykatën e Apelit. Kjo gjykatë vendosi që të lëjë në fuqi vendimin e pushimit, por ende s’ka zbardhur arsyet!

Familjarët e të ndjerit shkojnë në Prokurorinë e Shkodrës për të marrë dosjen, por askush nuk i pret. As drejtuesi Albert Murçaj, që vendosi pushimin. “Bëni kërkesë dhe do e merrni pas disa ditësh. Kërkesa do shkoj te kryeprokuror që do e marrë dhe do t’ua zgjidhë problemin” i tha një punonjës i prokurorisë. Por, megjithëse kaluan disa ditë, drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës, Albert Murçaj, i njëjti që vendosi pushimin e çështjes, nuk u ktheu përgjigje. Më pas, familjarët shkojnë në Policinë e Shkodrës, ku disa punonjës i thonë se Gjergj Gjeloshi është kthyer në punë. Sipas tyre, tashmë është në Tiranë. Familjarët tentojnë të komunikojnë me inspektorin, e marrin në telefon dhe ai nuk pranon që t’i takojë. “Kur ju kërkova unë, s’erdhët. Tani s’dua unë” u thotë ai.

Qytetarët shkojnë në Prokurorinë e Shkodrës

Qytetarja – Desha pak kopjen e dosjes të Agim Shkambajt, ndodhi një aksident para një viti dhe unë doja kopjen e dosjes se më duhet.

Punonjësi i prokurorisë – Ëhë, a keni bërë kërkesë a.

Qytetari – Po ai prokurori është këtu ai Astrit

Qytetarja – Astrit Halili.

Punonjësi i prokurorisë – Halili është me pushime.

Qytetari – Kush prokuror e ka këtë çështjen në dorë, a mund me e dit?!

Qytetarja – Ne atë po kërkojmë që të informohemi pak.

Punonjësi i prokurorisë – Ë jo, jo se Astriti është sëmurë.

Qytetarja – Ta shihni ju kush prokuror mund ta ketë marrë.

Punonjësi i prokurorisë – Dua të bëj një kërkesë drejtuar Prokurorisë së Rrethit Shkodër dhe ça kërkoni.

Qytetari – E kanë shtyp e kanë lënë të vdekur ça do tjetër. Na jep letrat sot.

Punonjësi i prokurorisë – Po s’t’i jap letrat unë mo shok.

Qytetarja – Po te prokurori.

Punonjësi i prokurorisë – Po prokurori s’ka dalë në punë ka 1 vit. Urdhëro të jap konfirmimin se e ke dorëzuar kërkesën. Letra shkon te shefi i madh, te kryeprokurori. Prokurori e sheh problemin tënd dhe të jep zgjidhje. Pa e lexu titullari as edhe një veprim s’mund të bëjmë.

Qytetarja – Kush e lexon?

Punonjësi i prokurorisë – Për shembull, kërkesën tënde e lexon kryeprokurori. Atëherë fillon zgjidhja e problemit. Dit në vazhdim me prit, mos i bini telefonit.

Qytetarja – D.m.th. nuk kryejmë dot punë sot?

Punonjësi i prokurorisë – Jo, se shkon te shefi kërkesa dhe fillon zgjidhja e problemit.

 

Më pas, shkojnë në Policinë e Shkodrës

Qytetari – A është në punë Gjergj Gjeloshi?

Punonjësi i policisë – Jo, veç me e marr në telefon.

Qytetari – A është në punë?

Punonjësi i policisë – Po.

Qytetari – A është në punë këtu?

Punonjësi i policisë – Po, po në punë është.

Qytetari – (E merr në telefon inspektorin Gjergj Gjeloshi) Po mirë mo edhe në Tiranë vij, se andej kam me ardh. A t’ja marr numrin? Mirë, ok.=

 

Kërkojnë kopjen e dosjes në Policinë Rrugore

Qytetarja – Dosjen e një aksidenti që ka ndodhur para një viti në 2021-shin.

Punonjësi i policisë – Atë dosje e ka prokuroria.

Qytetarja – S’mund të ketë një fotokopje …

Punonjësi i policisë – Fotokopje të kujt?

Qytetarja – Të dosjes!

Punonjësi i policisë – Jo.

Qytetarja – S’keni ëë?

Punonjësi i policisë – I ka prokuroria.

 

Vajza e viktimës telefonon autorin, Gjergj Gjeloshi, inspektor policie

Vajza e viktimës – Gjergj Gjeloshi Jeni?

Inspektori Gjergj Gjeloshi – Po.

Vajza e viktimës – Unë jam e bija e viktimës që ka ndodhur një aksident një vit më parë. Brenda mundësive të tua të takonim pak.

Inspektori Gjergj Gjeloshi – Atëherë kur kam pasur unë nevojë ti s’ke pranuar me ardh, kështu që tani unë s’kam mundësi.

Vajza e viktimës – Një sekondë, unë normalisht s’kam pranuar se një vajzë për babain e vetë s’mund të pranojë…

Inspektori Gjergj Gjeloshi – Ti mu s’ke me i ra telefonit.

Vajza e viktimës – Unë telefonit do ti bije për të zbardhur të drejtën e babait tim se qysh është puna.

Inspektori Gjergj Gjeloshi – Në gjykatë dhe gjykata e ka vendosur…

Vajza e viktimës – Ne u treguam njerëz me ju, ju s’po tregoheni me ne.

Inspektori Gjergj Gjeloshi – Sa kam pasur mundësi, si kam pas mundësi dhe kaq, s’kam ç’a të bëj unë më shumë sepse nuk është në dorën temë, as tonën më!

Vajza e viktimës – Unë doja që thjesht të pinim një kafe në mënyrë njerëzore, tani se si e merr ti është tjetër gjë.

Inspektori Gjergj Gjeloshi – Kur të kam lyp ty, ti s’ke ardh. Tani mos me i ra telefonit.

Vajza e viktimës – Si mund të vija që unë humba babain 49-vjeçar në atë lloj masakre dhe unë të vijë të jepja ty…

Inspektori Gjergj Gjeloshi – Kur kam pas nevojë për ty, e di shumë mirë ti…

Vajza e viktimës – Dua të di…

Inspektori Gjergj Gjeloshi – S’dua të di…

Vajza e viktimës – Ok në rregull.

Inspektori Gjergj Gjeloshi – Mirupafshim, kalofsh mirë.

Vajza e viktimës – Në rregull.

 

 

 

FOTO GALERI
2/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA