BE sanksionon 351 deputetët rusë që votuan ‘pro’ republikave separatiste të Ukrainës (fotot)

22/02/2022 20:19

Bashkimi Evropian ka njoftuar sonte sanksione ndaj 351 anëtarëve të Dumës ruse që votuan pro njohjes së republikave të vetë-shpallura të Donetsk e Luhansk, në lindje të Ukrainës.

Blloku gjithashtu vendosi të dënojë 27 individë dhe entitete të akuzuar për destabilizim të Ukrainës, për luftë me fushatë dezinformimi dhe për mbështetje financiare për dy rajonet separatiste.

Objektiva të sanksioneve janë sektorët politikë, ushtarakë, biznesi e media, të cilët do të goditen me ngrirje të aseteve dhe ndalim udhëtimi, çka do të thotë se personat nuk mund të udhëtojnë përmes territorit të BE.

“Ka një përshkallëzim të qartë të agresionit rus ndaj Ukrainës,” tha kryediploamti i BE Josep Borell, në konferencën e posaçme të shtypit në Paris.

“Ne po demonstrojmë vendosmërinë tonë duke u përgjigjur fuqimisht ndaj zhvillimeve të fundit”, shtoi ai.

Paketa e re e sanksioneve kufizon aksesion e qeverisë ruse në kapitalin dhe shërbimet financiare të BE.

Gjithashtu tregtia mes bendeve të BE dhe dy rajoneve separatiste është ndaluar.

Blloku thotë se po tenton të ndërpresë mbledhjen e fondeve nga Moska për fushatën e saj ushtarake, që tashmë ka nisur në lindje të Ukrainës.

“Ne do ta bëjmë sa më të vështirë që mundemi ndjekjen e politikave agresive nga Kremlini”, tha më herët kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

FOTO GALERI
1/2
BE sanksionon 351 deputetët rusë që votuan ‘pro’ republikave separatiste

Top Channel