Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar përmes një postimi këtë mbrëmje, pas lajmit se Rusia ka njohur pavarësinë e rajoneve të lindje të Ukrainës.
Peleshi thotë se njohja e rajoneve lindore të Ukrainës nga Putin është lëvizje ogurzezë që do të sjellë paqartësi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në kontinentin europian.
“Njohja e rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, nga ana e Putin, dhe njëherë konfirmoi qartazi skenarin rus për dhunimin e të drejtës ndërkombëtare dhe shkeljen e sovranitetit ukrainas. Kjo lëvizje ogurzezë do sjellë më shumë paqartësi për paqen, sigurinë dhe stabilitetin jo vetëm në Ukrainë, por dhe në tërë kontinentin europian. Ne do qëndrojmë të palëkundur në mbështetjen ndaj partnerëve tanë ukrainas, ndërkohë që Aleanca e NATO-s është më e bashkuar se kurrë”, shkroi Peleshi.
Sipas disa medieve, presidenti rus Vladimir Putin planifikon të njohë pavarësinë e rajoneve ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut. Kreu i Kremlinit ia bëri të ditur këtë të hënën këshillit të tij të sigurisë. Putini tha të hënën se Rusia po shqyrtonte njohjen e pavarësisë së dy rajoneve të Ukrainës, por jo duke i aneksuar dhe duke i shtuar ato zyrtarisht në territor.
Në Marrëveshjet e Minskut, të negociuara nga Gjermania dhe Franca në 2014 dhe 2015 dhe të rëna dakord bashkërisht me Ukrainën dhe Rusinë, palët në konflikt në Ukrainën lindore u zotuan të ndërmarrin disa hapa për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit.
Top Channel