Komisioni i Rithemelimit: Ambasadorja Kim po ndërhyn në zgjedhjet e 6 Marsit, duke shkelur ligjin dhe Kushtetutën

21/02/2022 15:03

Komisioni i Rithemelimit këtë të hënë e ka konsideruar deklaratën e ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim, bërë sot në rrjetin social Twitter, si ndërhyrje në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, duke shkelur në mënyrë flagrante sipas tyre ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

Në një deklaratë për mediat, “Rithemelimi”, thekson se ambasadorja amerikane, përmes një deklarate të tillë, defacto i ka bërë thirrje zgjedhësve se për cilin kandidat duhet të votojnë.

Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, denoncon deklarata të tilla politike nga përfaqësues të huaj gjatë fushatave elektorale. Komisioni I konsideron ato si ndërhyrje të palejueshme, të papranueshme, e të njëanshme në procesin zgjedhor, në rastin konkret në favor të qeverisë më të korruptuar të Europës”, citohet nga deklarata.

Një deklaratë të tillë, Komisioni i Rithemelimit, e konsideron në kundërshtim të plotë me Nenin 41 të Konventës së Vienës për Marrëdhëniet Diplomatike dhe Protokollet Opsionale, nënshkruar në vitin 1961 në të cilën edhe Shqipëria është palë.

Neni 41 pika 1 thotë shprehimisht: “Pa paragjykuar privilegjet dhe imunitetet e tyre, është detyrë e çdo personi që gëzon këto privilegje dhe imunitete të respektojë ligjet dhe rregullat e shtetit pritës. Ata gjithashtu nuk kanë të drejtë të përzien në çështjet e brendshme të atij Shteti”, thotë deklarata.

Në të theksohet gjithashtu se Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike thekson se shqiptarët hedhin poshtë luftën me lobingje korruptive dhe pa fakte kundër korrupsionit si një praktikë që ndihmon korrupsionin.

Komisioni i kërkon Ambasadores Yuri Kim tërheqjen e kësaj deklarate e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, për respektimin e të cilit, partitë politike në Shqipëri, janë të angazhuara”, citohet më tej.

Po ashtu, Komisioni dënon çdo ndërhyrje në procesin zgjedhor, për më tepër kur qëllimi final është mbështetja për qeverinë më të korruptuar të Europës, që çdo ditë largon shqiptarët nga vendi i tyre dhe sponsorizimi i opozite fasadë, misioni i vetëm i së cilës është vrasja e shpresës, duke bërë pazare me qeverinë.

Së fundi, Komisioni deklaron se sponsorizuesi dhe llogarimarrësi i vetëm i kandidatëve të “Shtëpise së Lirisë” është populli opozitar që refuzon të pranojë se alternativa e vetme ndaj Edi Rames është bari që ofron znj. Kim. Është ky popull që i perzgjodhi këta kandidatë dhe po ai do t’i votojë. Nesër, kur ata të jenë fitues, detyrimi i vetëm I tyre nuk do jete as ndaj liderëve politike dhe aq me pak ndaj diplomatëve në shërbimin e Edi Ramës, por vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë”, nënvizohet nga deklarata.

E dërguara e Washingtonit në Tiranë Yuri Kim, u dërgoi 4 pyetje të gjithë kandidatëve në garën e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 Marsit, me referencë edhe udhëheqësit e tyre persona të shpallur Non-Grata.

Deri më tani, më aktivi prej tyre është Sali Berisha i cili përmes koalicionit Shtëpia e Lirisë ka hyrë në garë me 6 kandidatët e tij.

Pyetje për kandidatët: Nëse mbështetësi juaj kryesor është dikush i përcaktuar publikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për korrupsion madhor, çfarë po u premtoni votuesve saktësisht? Kush do t’ju zotërojë nëse fitoni dhe çfarë do t’i detyroheni atyre? Çfarë duhet të presin shqiptarët? Çfarë duhet të presin Shtetet e Bashkuara?”, shkruajti Kim.

Pak më vonë pas publikimit të këtij mesazhi ambasadorja Yuri Kim, theksoi se ky koment vlen për të gjithë krahët e politikës shqiptare. Ajo u rikujtoi shqiptarëve se Shtetet e Bashkuara kanë përcaktuar publikisht katër persona në Shqipëri sipas Nenit 7031(c) të cilëve u ndalohet hyrja në SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA