Policia e Fierit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Dërmënasi”.

Gjatë operacionit, Policia bllokoi dhe dy armë zjarri pistoleta, të cilat do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë, për ekzaminime të mëtejshme, për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, pas një punë të mirorganizuar, bazuar në informacionet e grumbulluara për disa shtetas që posedonin lëndë narkotike dhe që do bënin shkëmbimin e saj, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Dërmënasi”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. D., 34 vjeç dhe R. K., 38 vjeç, banues në Kurjan; I. G., 30 vjeç dhe K. G., 24 vjeç, banues në Dërmënas.

Katër shtetasit e arrestuar janë kapur gjatë operacionit, në fshatin Fermë Çlirim, në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike.

Gjithashtu filloi procedimi penal për shtetasin L. G., 29 vjeç, banues në Dërmënas, pasi gjatë kontrollit të banesës iu gjet një armë gjahu.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel