Prezantimin zyrtar te kandidatëve për zgjedhje e pjeshme te 6 marsit, Edi Rama ia ka deleguar drejtuesve politik. Erion Veliaj përgjegjës për qarkun e Tiranës, kërkoi mbështetjen për kandidatin e Partisë Socialiste në Rrogozhinë Edison Memolla.
Në këtë Bashki socialistët kanë përballë jo vetëm kandidatin e Lulzim Bashës, por edhe atë të Sali Berishës.
“Saliu thotë ma jepni votën që, me të mbaruar votimet, t’i them Lulit dola më mirë se ty, prandaj do ta vazhdoj sherrin për bravën. Luli thotë ma jepni votën – e di që nuk fitoj – por të paktën të kem mjaftueshëm vota, që në datë 7 mars, të vazhdoj sherrin me Saliun. Ata e duan votën për sherr, e duan votën si një lloj leve. I thonë miletit: “ma jep këtë levën, që t’ia fus tjetrit në kokë!”. Kurse për ne vota është instrumenti me të cilin bëjmë punët e mira të Rrogozhinës. E duam votën që të mbarojmë projektet”, tha Veliaj.
Socialistët i kërkojnë demokratëve ti bëjnë një pyetje vehtes para se ti drejtohen kutisë së votimit.
“Kush është më e rëndësishme në jetë: partia apo shtëpia? Forcat politike apo familja jote. Duke dhënë votën për sherr, si i mbarojmë gjithë këto shkolla në Rrogozhinë? Vetëm duke dhënë votën për punë, ne i mbarojmë shkollat, ujësjellësin, mbarojmë investimet. Vetëm duke dhënë votën për punë ne përgatitemi për stinën e verës në Spille, sigurohemi që i rritet vlera pronës, sigurohemi që qyteti është më i pastër, sigurohemi që infrastruktura në Rrogozhinë të jetë njësoj si në Tiranë. Ndaj, vota nuk është për sherr, është për punë”, tha ai.
Top Channel