Veliaj ftesë demokratëve nga Rrogozhina: Lëreni Saliun dhe Lulin, se ata duan vetëm sherr

20/02/2022 12:41

Në çelje të fushatës për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, u kërkoi qytetarëve të Rrogozhinës të mbështesin kandidatin socialist Edison Memolla, si mënyra për të vijuar punët dhe projektet e mira në qytet. Ai tha se sot në Rrogozhinë po bëhen punë me cilësi njësoj si në Tiranë.

“Fakti se ne socialistët punojmë me të njëjtin seriozitet, si në qendër të kryeqytetit, ashtu edhe në një qytet si Rrogozhina, do të thotë se e duam votën tuaj për punë, jo për sherr. Saliu thotë ma jepni votën që, me të mbaruar votimet, t’i them Lulit dola më mirë se ty, prandaj do ta vazhdoj sherrin për bravën. Luli thotë ma jepni votën – e di që nuk fitoj – por të paktën të kem mjaftueshëm vota, që në datë 7 mars, të vazhdoj sherrin me Saliun. Ata e duan votën për sherr, e duan votën si një lloj leve. I thonë miletit: “ma jep këtë levën, që t’ia fus tjetrit në kokë!”. Kurse për ne vota është instrumenti me të cilin bëjmë punët e mira të Rrogozhinës. E duam votën që të mbarojmë projektet”, u shpreh Veliaj.

“Kush është demokrat duhet t’i bëjë vetës një pyetje: Duke dhënë votën për sherr, si i mbarojmë gjithë këto shkolla në Rrogozhinë? Vetëm duke dhënë votën për punë, ne i mbarojmë shkollat, ujësjellësin, mbarojmë investimet. Vetëm duke dhënë votën për punë ne përgatitemi për stinën e verës në Spille, sigurohemi që i rritet vlera pronës, sigurohemi që qyteti është më i pastër, sigurohemi që infrastruktura në Rrogozhinë të jetë njësoj si në Tiranë. Ndaj, vota nuk është për sherr, është për punë,” vijoi ai.

Veliaj u bëri thirrje demokratëve të heqin dorë nga partitë që kanë hallin e bravave dhe të bashkohen me forcën që po ndërton 102 shtëpi në Rrogozhinë pas tërmetit, shkolla e kopshte për fëmijët e tyre.

“Kush është më e rëndësishme në jetë: partia apo shtëpia? Forcat politike apo familja jote? Unë jam socialist, jam shumë krenar për këtë, por ama në fund të ditës unë them: Familja ime është gjëja më e shtrenjtë, pastaj vjen familja ime politike. Është e dyta në radhë. Ndaj, dhe miqtë demokratë duhet t’i bëjnë pyetje vetes: Është më e rëndësishme brava e Lulit dhe Saliut, apo brava e 102 shtëpive që ne po bëjmë për rindërtimin pas tërmetit? Është më e rëndësishme karrigia e Saliut dhe Lulit për ty si demokrat, apo është më e rëndësishme që pasi të mbarojnë 102 shtëpitë, pasi të mbarojnë këto shkolla, pasi të mbarojë ai kopësht, të kenë karrige ku të ulen familjarët e tu, fëmijët e tu, familja jote, ajo që është më e rëndësishme se familja e partisë”, deklaroi drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës.

Veliaj tha se vetëm në një vit me Edison Memollën në Bashkinë e Rrogozhinës janë ndërtuar 2 shkolla dhe janë në proces edhe 5 të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA