Rusia dhe Bjellorusia do të përfundojnë sot stërvitjen e madhe ushtarake që filloi më 10 shkurt në territorin bjellorus, jo shumë larg kufirit ukrainas.

Në stërvitjen e së shtunës, forcat e armatosura të Rusisë dhe Bjellorusisë simuluan një betejë, duke përdorur aeroplanë, tanke dhe raketahedhës. Pjesa kryesore e stërvitjes u zhvillua në një zonë të Bjellorusisë, e cila është pak më shumë se 100 km larg kufirit ukrainas.

Kjo pjesë e stërvitjes së përbashkët mes dy vendeve, ndodhi vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Joe Biden nga Uashingtoni tha se ishte i bindur, në bazë të informacioneve të mbajtura nga shërbimet e inteligjencës së vendit të tij, se Rusia do të pushtojë Ukrainën në javën e ardhshme.

Dhe pak përpara se kryeministri britanik Boris Johnson të fliste për mundësinë e një pushtimi rus të Ukrainës, duke theksuar ndër të tjera se mund të ishte një nga “luftërat më të mëdha në Evropë që nga viti 1945”.

Ai e bëri këtë deklaratë nga Mynihu, ku është duke u zhvilluar Konferenca e Sigurisë, ndërsa marrin pjesë edhe zv/presidentja amerikane Kamala Harris dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Pas vdekjes së dy ushtarëve ukrainas të shtunën për shkak të përleshjes me rebelët pro-rusë në lindje të vendit, Zelensky kritikoi qëndrimin e vendeve perëndimore ndaj Rusisë, duke shtuar se Ukraina nuk do t’i përgjigjet provokimeve ruse, por do të mbrohet në rast të një pushtimi.

Po ashtu, të shtunën, Rusia realizoi disa teste raketore që i kishte njoftuar prej kohësh dhe të cilat u prezantuan si stërvitje për një sulm bërthamor. Ajo testoi disa raketa balistike dhe cruise, ndërsa Nju Jork Times i ka cilësuar si “teknologjikisht të parëndësishme”, pasi mund të gjurmohen lehtësisht, por ajo që ka rëndësi është fakti se këto testime u kryen ditët e fundit, ndërsa Rusia është në qendër të vëmendjes së botës.

Stërvitja përfshinte me mijëra ushtarë rusë dhe përfshinte taktika të simulimit të veprimeve mbrojtëse dhe sulmuese në rast të një agresioni kundër Rusisë dhe Bjellorusisë nga një vend tjetër.

Ka disa ditë që po thuhet se kjo stërvitje mund të përdoret si pretekst për dërgimin e trupave dhe përgatitjen e një sulmi për pushtimin e Ukrainës, por për momentin nuk ka ndodhur asgjë që të tregojë pa mëdyshje se pas stërvitjes do të ketë një pushtim të këtij vendi.

Top Channel