“Konflikti në Ukrainë të mos përshkallëzohet”, Putin dhe Macron bien dakord

20/02/2022 16:24

Presidentët Vladimir Putin dhe Emmanuel Macron kanë rënë dakord të marrin masa urgjente për të ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainën lindore.

Sipas Pallatit Elysee, gjatë bisedës së tyre telefonike të dielën, liderët kanë rënë dakord të rifillojnë punën në kuadër të formatit të Normandisë, i cili përbëhet nga lidershipi francez, gjerman, rus dhe ukrainas.

Gjithashtu u vendos që një takim i grupit të kontaktit trepalësh do të mbahej “në orët e ardhshme” me qëllim që të “merret një angazhim nga të gjitha palët e interesuara” për armëpushim në linjën e kontaktit.

Një takim mes ministrave të punëve të jashtme franceze dhe ruse, Jean-Yves Le Drian dhe Sergey Lavrov do të zhvillohet “në ditët në vijim” me punën diplomatike që do të intensifikohet në përgjithësi.

Kjo punë diplomatike, sipas presidencës franceze, do të përfshinte të gjithë palët e interesuara, pra evropianët, aleatët, rusët dhe ukrainasit dhe do të ishte gati, në varësi të kushteve të përmbushura, të mundësonte “një takim në nivelin më të lartë për të përcaktuar një rendi i paqes dhe sigurisë në Evropë”.

Rusia ka grumbulluar rreth 150,000 trupa, avionë luftarakë dhe pajisje në tre anët e Ukrainës, duke përshkallëzuar tensionet me vendin fqinj.

Ministri i Mbrojtjes i Bjellorusisë njoftoi gjithashtu se Rusia do të zagjerojë stërvitjet ushtarake që po zhvillohen në vend pranë kufijve veriorë të Ukrainës, të cilat sollën një kontigjent të madh trupash ruse në Bjellorusi.

Në pritje të një sulmi, SHBA dhe aleatët e tjerë, së fundmi Gjermania dhe Austria, u kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga vendi. Ambasada e SHBA-së në Ukrainë gjithashtu zhvendosi përkohësisht operacionet e saj nga Kievi në Lviv për shkak të përshpejtimit të ngritjes së forcave ruse.

Ndërsa zyrtarët e lartë amerikanë kanë paralajmëruar se Rusia është e gatshme të godasë Ukrainën dhe Pentagoni ka dërguar afërsisht 5,000 trupa në Evropën Lindore për të forcuar forcat e NATO-s, administrata Biden vazhdon të mbajë një opsion diplomatik në tryezë. Presidenti ka theksuar se asnjë forcë amerikane nuk do të hyjë në Ukrainë nëse Rusia pushton.

Top Channel