Në Xhakartë, ministrat e Financave të G20 diskutuan pasojat e mundshme të një lufte në Evropë. Perspektiva nuk duket shpresëdhënëse, ndërsa sfida kryesore është rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë COVID-19.

Edhe 14 mijë kilometra larg nga Ukraina, kriza e atjeshme e shkaktuar pas vendosjes së trupave ruse pranë kufirit, po shkakton shqetësim të madh. Në takimin e tyre të parë nën presidencën indoneziane, ministrat e Financave të 20 vendeve më të rëndësishme të industrializuara dhe në zhvillim, duke përfshirë Rusinë, paralajmërojnë për efektet e rënda në ekonominë botërore, nëse Rusia sulmon përsëri Ukrainën dhe bota perëndimore më pas duhet të përdorë masa të ashpra dhe sanksione ekonomike. Kurset në bursë do të bien, transaksionet financiare me Rusinë dhe eksportet e energjisë mund të goditen keq.

Një numër ministrash dhe presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, paralajmëruan se një pasojë tjetër mund të jetë edhe rritja edhe më e lartë e çmimit të naftës në mbarë botën me pasoja negative për rritjen ekonomike.

“Kjo nuk është koha për rivalitete dhe tensione të reja që kërcënojnë rimëkëmbjen ekonomike, për të mos përmendur sigurinë botërore, siç po shohim tani në Ukrainë. Të gjitha palët duhet të ndërpresin armiqësitë”, tha udhëheqësi indonezian në Qendrën e Konferencave.

Lindner dëshiron të ulë inflacionin

Ministrat e Financave dhe krerët e bankave qendrore nga grupi i 20 vendeve më të rëndësishme në botë po kërkojnë mënyra dhe rrugë të ndryshme për të rimëkëmbur më shpejt ekonominë nga pandemia Corona, e cila nuk ka mbaruar në asnjë mënyrë, siç thanë disa ministra në fjalimet e tyre. Vetëm gjysma e delegacioneve kanë shkuar për pjesëmarrje në këtë takim në Xhakartë.

Pjesa tjetër ka vendosur për pjesëmarrje përmes video-lidhjeve për shkak të pandemisë.

Ministri i ri gjerman i Financave, Christian Lindner ishte një prej tyre që vendosi të marrë pjesë nga distanca. Nga Berlini ai nënvizoi si jashtëzakonisht të rëndësishme uljen e inflacionit, sigurimin e zinxhirit të furnizimit dhe frenimin e çmimeve të energjisë.

Fondi i ri për ndihma

Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva paralajmëroi në Xhakartë se rritja ekonomike botërore ka humbur vrullin për shkak të pandemisë.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha nga Washingtoni se veçanërisht vendet në zhvillim kanë nevojë për më shumë ndihma financiare për të vënë në funksion sistemet e tyre shëndetësore dhe për t’u përgatitur për epidemi të mëtejshme.

Yellen propozoi një “fond të ri shëndetësor” me 75 miliardë dollarë amerikanë, i cili do të kishte selinë te Banka Botërore. Ajo paralajmëroi se mosveprimi tani do të kishte “pasoja shkatërruese”.

“Në një kohë që trauma njerëzore dhe ekonomike e pandemisë është e freskët në mendjet tona, ne kemi një dritare politike për të vepruar për të adresuar mangësitë në sistemet tona shëndetësore botërore. Kostoja e mosveprimit mund të jetë një fatkeqësi e vërtetë”, tha Yellen.

Pas konsultimeve dy-ditore në Xhakartë, është gjithashtu e paqartë se cili nga vendet e G20 mund dhe dëshiron të mbledhë para për një fond të tillë.

Ministrja indiane e Financave, Nirmala Sitharaman mbështeti propozimin e SHBA-së.

Intensifikimi i fushatës së vaksinimit në vendet e varfra

165 ish-kryeministra dhe shkencëtarë kërkuan gjithashtu më shumë para në një letër të hapur drejtuar ministrave të G20. Duhet urgjentisht të rritet shkalla e vaksinimit kundër COVID-19 në vendet më të varfra për të mbrojtur popullsinë atje, por edhe për të parandaluar shfaqjen e mutacioneve të reja të rrezikshme të virusit.

“Institucionet botërore që supozohet të organizojnë dhe paguajnë për vaksinat kanë boshllëqe dramatike financiare”, thotë ish-kryeministri britanik, Gordon Brown.

Rreth 16 miliardë dollarë do të nevojiteshin për të vaksinuar njerëzit në vendet e varfra. Ministrat e financave të G20 përsëritën angazhimet për të financuar fushatën e vaksinimit COVAX të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Deri më tani, COVAX ka dorëzuar 1.8 miliardë doza vaksinash në 144 vende. Kjo nuk është aspak e mjaftueshme për të arritur kuotat e vaksinimit që janë të zakonshme në vendet më të pasura të industrializuara.

Kreu i COVAX-it, Seth Berkley tha në fund të janarit se organizata e tij ishte “praktikisht pa para”. Dozat e reja të vaksinës nuk mund të blihen dhe të dhurohen. /Deutsche Welle/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA