Në më pak se dy muaj, më 3 prill, në Hungari do të mbahen zgjedhjet parlamentare ku dhe pritet të votojnë më shumë se tetë milionë qytetarë. Për herë të parë pas një kohe të gjatë, kryeministri Viktor Orban, i cili e ka udhëhequr vendin në një mënyrë gjysmë autoritare që nga viti 2010, ka një kundërshtar të mbështetur nga të gjitha partitë kryesore të opozitës.
Me pak fjalë, Orban rrezikon të humbasë. Megjithatë, për opozitën, do të jetë shumë e vështirë, duke qenë se Orban dhe rrethi i tij i aleatëve politikë kanë shumë mjete mashtrimi dhe presioni në dorë për t’i përdorur në fushatën elektorale, një pjesë të të cilave po i përdorin javët e fundit.
Një mekanizëm i tillë manipulimi ka ndodhur pothuajse me të njëjtat terma para zgjedhjeve parlamentare të 2018-ës. Disa aktivistë dhe anëtarë të shoqërisë civile janë afruar nga disa kompani të huaja me pretekstin e bashkëpunimit. Bisedat e këtyre aktivistëve janë regjistruar, redaktuar me mjeshtri dhe botuar në gazetat afër Orbanit, si dëshmi që ekziston një komplot ndërkombëtar, duke përfshirë këtu edhe anëtarë të shoqërisë civile hungareze, për të përmbysur qeverinë e Orbanit.
Intelektuali dhe akademiku, Dalibor Rohc tha në revistën The Bulwark se një skenar i tillë i ka ndodhur edhe atij në verën e vitit 2020. Ai tregon se iu afrua një burrë misterioz që pretendonte se ishte partner themelues i Wilson Energy Consultants, me të cilin kishte biseduar rreth dy herë në Skype. Disa muaj më vonë Rohc gjeti në media një fragment shumë të shkurtër nga biseda që kishte zhvilluar më të, sipas të cilës, ai pretendonte se Bashkimi Evropian do të merrte frymë lehtësisht nëse Orban humbte zgjedhjet e vitit 2022.
Një taktikë tjetër që Orban ka përdorur për shumë vite në fushatën e tij zgjedhore ka qenë ardhja e emigrantëve të paligjshëm në vend, një temë kjo që ai e ka përsëritur shpesh në retorikën e tij, e cila njihet ndër të tjera, edhe për deklaratat e rreme dhe armiqësore ndaj Islamit dhe popullit mysliman.
Associated Press shkruan se “me afrimin e zgjedhjeve të tre prillit, Orban e përshkroi frikën nga një emigracion i paligjshëm në vend më të lartë se ajo e vitit 2015, ku me mijëra azilkërkues mbërritën në Bashkimin Evropian, pasi ikën nga lufta dhe varfëria”.
Në një konferencë për mediat në muajin dhjetor, Orban u tha gazetarëve se në vitin 2021, autoritetet hungareze kishin arrestuar dhe burgosur “më shumë se 100 mijë njerëz”. Në realitet, shifrat janë shumë të ulëta; sipas të dhënave nga Frontex, agjencia e rojeve kufitare e Bashkimit Evropian, në vitin 2021 ka pasur 60.540 hyrje të parregullta në të ashtuquajturën “rrugë ballkanike”, prej të cilave Hungaria është vetëm një nga vendet e përfshira.
Gjithashtu, një mjet tjetër i propagandës së tij, i përdorur shumë nga Orban janë edhe takimet me liderët e huaj. Kjo strategji, pra takimet me ta afër datës së zgjedhjeve, realizohen veçanërisht për të legjitimuar statusin e tij si një lider ndërkombëtar. Pak javë para zgjedhjeve parlamentare të 2018-ës. Orban u takua me politikanin italian Giorgia Meloni. Tani që profili i tij është dëmtuar, në fillim të shkurtit, ai u takua me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa sipas burimeve qeveritare për The Guardian, Orban po përpiqet të bindë ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, që ta vizitojë atë në Hungari.
Përpjekjet për të ndikuar në zgjedhje, ndoshta nuk do të kufizohen vetëm në fushatën elektorale.
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se në zgjedhjet parlamentare të 2018-ës, raportuan për “dokumente të falsifikuara, frikësim të votuesve dhe biznesmenëve, blerje votash dhe transportim të paligjshëm të votuesve nga vendet e huaja”. Që atëherë, raportet për parregullsi janë shtuar edhe gjatë zgjedhjeve evropiane dhe ato lokale të vitit 2019. Me pak fjalë, logjika të thotë se ekziston çdo mundësi për të menduar se Orban dhe njerëzit e tij do të provojnë çdo rrugë për të manipuluar përsëri zgjedhjet e prillit.
Top Channel