Një 51-vjeçar, i identifikuar si I.A., ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës për ushtrim të aktivitetit pa licensë e kasë fiskale, në laboratorin dentar.

Në kuadër të operacionit të koduar “Whiteness”, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në laboratorin dentar, në rrugën Gjylbegaj-Shkodër, në administrim nga ky shtetas.

Nga kontrolli rezultoi se ushtronte këtë aktivitet i pa pajisur me licensë për ushtrimin e profesionit, dhe pa kasë fiskale.

Në laborator u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi e konsiderueshme mallrash të markave të ndryshme dentare, të dyshuara kontrabandë.

Gjithashtu u konstatuan në proces pune edhe dy shtetas (njëri prej tyre shtetas turk), të cilët ishin të paregjistruar në organet përkatëse.

Materialet iu referuan Prokurorisë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë“, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë“, “Fshehja e te ardhurave“, “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar“ dhe “Punësimi i paligjshëm“.

Top Channel